Pjesë e UNESCO-s/ Egjipti dhe Greqia bien dakord të mbrojnë statusin e manastirit të Malit Sinai

Greqia dhe Egjipti kanë rënë dakord të mbrojnë statusin e njërit prej vendeve më të vjetra të adhurimit të krishterë në botë, thanë ministrat e jashtëm të të dy vendeve vonë të mërkurën, pasi një vendim i gjykatës egjiptiane javën e kaluar, hodhi pasiguri mbi të ardhmen e tij.

Manastiri i Shën Katerinës, në rrëzë të malit Sinai të Egjiptit, u themelua në shekullin e 6-të dhe është manastiri më i vjetër i krishterë që përdoret ende për funksionin e tij origjinal, thotë UNESCO, e cila e ka listuar zonën si një vend të Trashëgimisë Botërore.

I nderuar nga të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, manastiri ndodhet në vendin ku sipas traditës biblike, Moisiu mori ‘Dhjetë Urdhëresat’.

Por javën e kaluar, një vendim gjykate egjiptiane, i parë nga Reuters, urdhëroi murgjit ortodoksë të lironin disa parcela toke që murgjit i kanë përdorur për vite me radhë, duke përfshirë vreshta dhe kopshte ngjitur me kompleksin e manastirit, me arsyetimin se ato ishin sekuestruar në mënyrë të paligjshme, duke shkaktuar një stuhi diplomatike midis Kajros dhe Athinës, lidhur me statusin e vendit.

“Ne ramë dakord që në të ardhmen e afërt të punojmë për mbrojtjen e të drejtave të manastirit, si dhe statusin e tij ligjor”, tha Ministri i Jashtëm Grek, George Gerapetritis, pasi u takua me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, në Kajro.

“Si Egjipti ashtu edhe Greqia synojnë të ecin përpara, bazuar në traditën e gjatë dhe statusin tashmë të vendosur të një manastiri emblematik për karakterin e tij ortodoks grek të adhurimit”.

Abdelatty tha se vendimi ruan vlerën e thellë shpirtërore dhe qëndrimin fetar të manastirit, dhe konfirmoi se murgjit do të vazhdojnë të kenë qasje dhe të përdorin manastirin dhe vendet e tij fetare dhe historike, sipas një deklarate të ministrisë së jashtme.

Me një histori të gjatë të marrëdhënieve diplomatike, Greqia dhe Egjipti kanë thelluar bashkëpunimin në vitet e fundit .
Shën Katerina është një kompleks i gjerë dhe sipas traditës u ndërtua rreth një kaçubeje që digjej, ku thuhet se Zoti i foli Moisiut, siç përshkruhet në Librin e Eksodit. Biblioteka e saj është një nga më të gjerat në botë, duke përmbajtur disa nga dorëshkrimet më të hershme të krishtera në botë./ Reuters.


Shtuar 5.06.2025 13:39