Nga Turkmen Terzi “Turkish Minute”
Policia turke ka arrestuar një “shtetase siriane” të quajtur Ahlam Albashir, e cila pretendon se është përgjegjëse për shpërthimin e një bombe më 13 nëntor që vrau 6 persona dhe plagosi 81 të tjerë në pedonalen e njohur İstiklal në Stamboll.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, deklaroi një ditë pas sulmit që Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe dega e saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), ishin përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës. Nga ana e tyre PKK dhe YPG kanë mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.
Ndërkohë një zyrtar i lartë turk i tha agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters se autoritetet turke nuk përjashtojnë mundësinë që autori të ketë lidhje me Shtetin Islamik në Irak dhe Levant (ISIL). Por ai shpërthim vdekjeprurës, që kishte në shënjestër civilët, ishte me shumë gjasa një inskenim i ri i presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, përpara samitit të G-20.
Sulmi vdekjeprurës ka lënë shumë pyetje pa përgjigje. Sipas një sërë ngjarjesh rreth tragjedisë, autoritetet turke pretendojnë se Albashir shkoi me një taksi në një banesë në lagjen Esenler të Stambollit për të tërhequr paratë pasi kishte lënë bombën në vendin e rekomanduar.
Nga atje ajo shkoi në Küçükçekmece, ku policia e arrestoi në shtëpinë e saj. Policia ka bastisur gjithsej 21 lokacione, duke ndaluar 46 persona që kanë qenë në kontakt me Albashirin gjatë operacionit. Agjencia e lajmeve Anadolu raportoi se “terroristja pranoi se ishte ajo që e kishte kryer sulmin me bombë rreth orës 16:20 të së dielës, me urdhër të selisë së organizatës terroriste PKK/YPG në Kobane të Sirisë”.
Është e pazakontë që PKK të synojë civilët në qytete, dhe për më tepër organizata e armatosur do t’i zhvendoste normalisht militantët e saj menjëherë në male pas një sulmi. Militantët e PKK-së nuk qëndrojnë në qytete, duke e ditur se forcat turke të sigurisë janë lehtësisht në gjendje që t’i gjurmojnë ata.
PKK ka luftuar kundër shtetit turk që nga vitet 1980 për të krijuar një entitet autonom ose të pavarur kurd në Turqinë juglindore me shumicë kurde, ndaj grupi ka përvojë në kryerjen e sulmeve. Turqia, BE dhe SHBA e kanë listuar PKK-në si një organizatë terroriste.
Fakti i dytë i pazakontë është se nuk ka shumë gjasa që një terrorist i trajnuar ose operativ i inteligjencës të presë 45 minuta me një bombë në një vend që monitorohet gjatë gjithë kohës nga më shumë se 1000 kamera ÇTV. Pamjet e tyre tregojnë se Albashir pret e qetë për rreth 45 minuta me çantën që përdori për të transportuar bombën.
Sipas ekspertit turk të sigurisë Emre Uslu, ajo ndoshta nuk ishte në dijeni se kishte një bombë në çantën e saj. Fakti tjetër i dyshimtë është se nuk është gjetur ende një person që ka hyrë në Turqi së bashku me Albashir 4 muaj më parë. Albashir dhe ky person shtireshin si çift, dhe punonin në një punishte tekstili në Stamboll.
Pikëpyetja tjetër është pse Albashir mbante me vete celularin e saj gjatë sulmit. Çdo militant me përvojë e di se nuk duhet të mbajë ndonjë pajisje elektronike, përveçse nëse personi është një kamikaz. Një pikëpyetje është se si ka mundësi që policia turke nuk e vuri re për më shumë se 40 minuta.
Për më tepër, nëse Albashir është një arabe siç pretendohet – madje disa thonë se është etiopiane – PKK është një organizatë e armatosur kurde dhe nuk ka rekrutuar ndonjëherë arabë apo afrikanë etnikë. Një tjetër fakt i çuditshëm është se sipas deklaratës zyrtare të Turqisë, Albashir dhe partneri i saj kanë hyrë në Turqi përmes Afrin në Sirinë Veriperëndimore.
Turqia e kontrollon këtë rajon që nga viti 2018, dhe gruaja do ta kishte të vështirë të hynte në Turqi duke përdorur këtë rrugë. Sulmi i së dielës mund të jetë kryer edhe nga grupet e armatosura siriane të mbështetura nga Turqia. Turqia mbështet grupet e Ushtrisë së Lirë Siriane (SNA) në Siri, të cilat luftojnë vazhdimisht midis tyre.
Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), ish dega e Al-Kaedës në Siri, e pushtoi Afrinin në fillim të muajit të kaluar. Ka raporte se Turqia po përpiqet të mobilizojë të gjitha grupet e armatosura në qytetet siriane të kontrolluara nga Turqia si Afrin, Jarabulus dhe Tal Abyad nën SNA. HTS është tërhequr kryesisht nga Afrini që nga ndërhyrja turke atje, por grupet e mbështetura nga Turqia e akuzojnë Ankaranë se është në anën e Rusisë dhe se i ka shitur ato. Sulmi në rrugën İstiklal ka më shumë gjasa të jetë një “operacion i rremë” i inskenuar nga shërbimi sekret turk për të justifikuar një operacion të ri në Siri.
Turqia e ka goditur YPG-në, grupin e armatosur që është elementi kryesor luftarak i Forcave Demokratike Siriane (SDF), në Sirinë verilindore që nga tetori i vitit 2019 pas vendimit të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga kufiri i Sirisë me Turqinë.
Bashkë me vendet kryesore perëndimore, SHBA-ja i mbështeti këto grupime kurde kundër ISIL. Turqia e sheh YPG-në si një zgjatim të PKK-së, dhe po përpiqet të marrë nën kontroll qytetet kurde si Kobani, Manbij dhe Tel Rifaat në Sirinë Veriore që mbahen nga forcat e YPG-së.
Nga ana tjetër, Erdogan ka dështuar që nga tetori 2021 të marrë lejen e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për operacionin e tij në Siri. Duket se tani Turqia ka një justifikim të fortë për të shënjestuar forcat kurde në Siri, pasi Soylu tha se Albashir e mori urdhrin për sulmin terrorist nga Kobani, ku PKK/YPG ka selinë e saj në Siri.
Soylu shtoi se nëse forcat e sigurisë nuk do ta kishin kapur autoren e dyshuar, ajo do të ishte arratisur në Greqi. Ankraja e akuzon Athinën se po strehon terroristët e PKK-së, dhe midis 2 fqinjëve ka aktualisht nivele të larta tensioni mbi sovranitetin e disa ishujve dhe të drejtat detare në detin Egje.
Turqia njoftoi se Albashir është një terroriste siriane e trajnuar nga PKK. Por shumë përdorues të mediave sociale, komentuan se ajo nuk është një kurde siriane apo arabe, nga Etiopia ose Eritrea, pasi ka një tatuazh në kyçin e dorës me shkrime në gjuhën semite etiopiane.
Një grua somaleze e shfaqur në një video-mesazh pohoi se Albashir është motra e saj. Ajo tha se jeton në Stamboll, se nuk është autore e sulmit, dhe as anëtare e PKK-së apo e ndonjë organizate tjetër terroriste. Po ashtu është interesant fakti i publikuar nga uebsajti turk T24, sipas të cilit ishin kryer 2 telefonata midis Mehmet Emin İlhan, një anëtar i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) të ekstremit të djathtë turk dhe Albashir. MHP është aleate e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdogan që nga viti 2018.
Ndërsa autoritetet turke nxituan në vlerësimet e tyre në lidhje me autorin, sulmi në rrugën İstiklal ngre ende shumë pikëpyetje. Turqia përjetoi një tentativë misterioze për një grusht shteti më 15 korrik 2016. Një komision parlamentar i formuar për të hetuar atë ngjarje përfundoi pa dëgjimin e personave kyç si presidenti Erdogan, shefit të atëhershëm të ushtrisë Hulusi Akar, dhe kreut të inteligjencës Hakan Fidan.
Për më tepër dhe raporti i tij cilësohet si “humbur”. Erdogan nxitoi të akuzonte lëvizjen Gulen me bazë besimin fetar për orkestrimin e tentativës për grusht shteti, edhe pse kjo lëvizje mohon me forcë çdo lloj përfshirje. Puçi i dështuar i 15 korrikut 2016 i dha Erdoganit mundësinë për të dëbuar të gjithë kundërshtarët e tij nga institucionet kryesore qeveritare.
Gjeneralët e ushtrisë turke ishin kundër hyrjes në Siri, por Erdogani spastroi shumë prej tyre, dhe ushtria turke kreu operacionin e saj të parë në Siri vetëm një muaj pas të ashtuquajturës përpjekje për grusht shteti. Duket se, ngjashëm me tentativën për grusht shteti, shpërthimi misterioz në rrugën İstiklal i jep Erdoganit një justifikim për të kryer operacione të reja ushtarake ndaj qyteteve siriane me shumicë kurde.
/albeu.com