Hungaria ka hyrë në një epokë të re politike pas një rezultati historik zgjedhor që i dha fund më shumë se një dekade e gjysmë sundimi të Viktor Orban. Në qendër të këtij transformimi qëndron Peter Magyar, avokati dhe eurodeputeti 45-vjeçar, i cili tashmë mban postin e kryeministrit pas një fitoreje dërrmuese që po konsiderohet si më e rëndësishmja në historinë e pasluftës së vendit.
Me rreth 85% të votave të numëruara, partia e tij, Tisza, ka siguruar 53.60% të votave, duke lënë pas ndjeshëm Fidesz-in e Orban me 37.78%. Sipas projeksioneve, Tisza pritet të marrë rreth 138 mandate në parlament, duke kaluar pragun e nevojshëm për shumicën e cilësuar prej dy të tretash, një rezultat që i jep Magyar një mandat të fortë për të ndërmarrë reforma të thella.
Të lidhura
Në fjalimin e tij të fitores në Budapest, Mgyar e cilësoi këtë si “mandatin më të fortë në historinë e demokracisë hungareze”, ndërsa vetë Orban pranoi humbjen dhe uroi rivalin e tij për fitoren historike.
Nga brenda sistemit në sfidues të tij
Rrugëtimi politik i Magyar është po aq i pazakontë sa edhe i shpejtë. Dikur pjesë e aparatit shtetëror dhe i lidhur me Fidesz-in, ai zotëron një njohje të thellë të mekanizmave të pushtetit në Hungari. Jurist me profesion, ai u shkëput nga strukturat qeverisëse për të ndërtuar një profil të pavarur politik.
Në vitin 2020, ai themeloi partinë Tisza, ndërsa në vitin 2024 u zgjodh eurodeputet në radhët e Partisë Popullore Evropiane. Megjithatë, ndryshe nga shumë figura të tjera pro-evropiane, Magyar ka ndjekur një linjë të kujdesshme, duke shmangur qëndrimet që mund të perceptohen si të shkëputura nga realiteti dhe ndjeshmëritë e elektoratit hungarez.
Skandali që e nxori në skenë
Emri i tij u bë i njohur gjerësisht në vitin 2023, kur ai publikoi akuza të forta për korrupsion ndaj qeverisë së Orban. Në qendër të këtij skandali ishte një regjistrim i fshehtë i një bisede me ish-bashkëshorten e tij, Judit Varga, në atë kohë ministre e Drejtësisë, ku përmendeshin ndërhyrje të dyshuara në një çështje sensitive korrupsioni.
Publikimi i materialit shkaktoi tronditje në skenën politike dhe e vendosi Magyar në qendër të vëmendjes publike. Megjithatë, polemikat nuk munguan: Varga e akuzoi atë për dhunë në familje dhe shantazh, akuza që ndezën debate të forta, por që nuk arritën të ndalin rritjen e tij politike.
Një balancë e vështirë mes Brukselit dhe Budapestit
Në planin politik, Magyar përballet me sfidën e balancimit midis orientimit evropian dhe skepticizmit të një pjese të elektoratit ndaj Bashkimit Evropian. Çështje të ndjeshme si anëtarësimi i Ukrainës në BE apo ndihma ekonomike për Kievin mbeten tema që kërkojnë kujdes të madh politik.
Ndryshe nga retorika e ashpër e Orban, i cili e ka cilësuar shpesh Hungarinë si “kukull të Brukselit”, kryeministri i ri synon të projektojë një profil më të moderuar, një lider që kërkon të ndërthurë integrimin evropian me mbrojtjen e interesave kombëtare.
Një mandat i fortë dhe pritshmëri të larta
Zgjedhjet u karakterizuan edhe nga një pjesëmarrje rekord, me rreth 77.8% të votuesve që morën pjesë në process, një tregues i qartë i rëndësisë së këtij momenti për shoqërinë hungareze.
Fitorja e Magyar shënon jo vetëm një rotacion pushteti, por një ndryshim të thellë në drejtimin politik të vendit. Pas 16 vitesh dominim të Orbán, Hungaria duket se po hap një kapitull të ri, një kapitull që pritet të përcaktojë marrëdhëniet e saj me Evropën dhe botën në vitet që vijnë.


