Përtej NATO-s: Kostoja e vërtetë e një lufte greko-turke

Nga Brandon Patterson & Dino Bozonelos “National Interest

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar me pushtim fqinjin dhe partnerin e saj në NATO, Greqinë. Mosmarrëveshjet midis 2 vendeve janë të shumta, por janë nxehur vitet e fundit për shkak të “militarizimit” të ishujve grekë pranë bregdetit turk të Egjeut.

Turqia pretendon se kërcënimet ushtarake ndaj këtyre ishujve vijnë si reagim ndaj shkeljeve të Traktatit të Lozanës të vitit 1923 nga ana e Greqisë.

Neni 13 i traktatit 100-vjeçar thotë “Asnjë bazë detare dhe asnjë fortifikim nuk do të krijohet në ishujt e përmendur”. Megjithatë, po ai nen thekson gjithashtu se “turqit do t’i ndalojnë avionët e tyre ushtarakë të fluturojnë mbi ishujt e përmendur” dhe se “forcat ushtarake greke në ishullin në fjalë do të kufizohen në kontigjentin normal për shërbime ushtarake”.

Kundër-pretendimi i Greqisë, është se Turqia ka shkelur në mënyrë të përsëritur detyrimet e saj historike në raport me këtë traktat, nëpërmjet fluturimeve të vazhdueshme ushtarake dhe një pranie të vazhdueshme detare në rajon. Athina thotë se kjo kërcënon jo vetëm sovranitetin territorial të ishujve, por edhe sovranitetin ekonomik të shelfit kontinental të Greqisë.

Ndërsa kjo çështje i solli dy fqinjët pranë luftës në vitet 1970, të dyja vendet ranë dakord që të përpiqeshin të gjenin gjuhën e përbashkët mbi të drejtat e shpimit nën det dhe nxjerrjen e burimeve natyrore në Egjeun Lindor. Gjatë vitit të kaluar, Turqia ushtroi një presion në rritje ndaj Greqisë dhe ka përdorur një retorikë agresive.

Erdogan ka kërcënuar se do të godasë Athinën me raketa balistike nëse ajo këmbëngul në “pushtimin” e ishujve në Egje. Në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti, Erdogan  paralajmëroi kryeministrin aktual grek Kyriakos Mitsotakis se Turqia “mund të sulmojë papritur një natë, nëse grekët vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të gabuar”.

Është kuptueshme që një gjuhë e tillë alarmon jo vetëm grekët, por edhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Është e vështirë të thuhet me saktësi nëse Turqia do të ndërmarrë hapin fatal, që me siguri do të sillte një reagim të ashpër brenda NATO-s por edhe të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi.

Por siç e ka theksuar Michael Rubin i “American Enterprise Institute”, qeveria e Erdogan mund ta shohë si të parezistueshme shfrytëzimin e përshkallëzimit të kësaj mosmarrëveshje si një pretekst për një pushtim. Zgjedhjet e afërta i japin atij një shtysë të mjaftueshme për të nxitur ndjenjat nacionaliste.

Një konflikt tjetër midis Turqisë dhe Greqisë, do ta përballte NATO-n me vendime shumë të vështira. Rëndësia gjeopolitike e Turqisë nuk mund të anashkalohet. Përveç kontrollit të ngushticave të Detit të Zi, Bosforit dhe Dardaneleve, ajo ka qenë historikisht një aleate e NATO që e ka bllokuar depërtimin rus në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme, dhe përmes së cilës Amerika ka qenë në gjendje të ushtrojë ndikimin e saj në rajon.

Gjatë 20 viteve të fundit, Turqia adoptoi një qasje më populiste, dhe duke pasur parasysh patologjitë e pjesës më të madhe të publikut turk, një qasje më antiamerikane. Që kur u ngjit në pushtet, Erdogan e ka fuqizuar islamizmin, në kurriz të elitës ushtarake laike dhe properëndimore.

Po ashtu zbatimi i qasjes neo-otomane nga Erdogan dhe strategjisë detare “Mavi Vatan” (Atdheu Blu) janë në kundërshtim me politikën amerikane në Mesdheun Lindor. Neo-otomanizmi po përpiqet të ndërtojë një koalicion nacionalistësh dhe islamikësh në Turqi, përmes thjerrëzës së madhështisë së dikurshme të Perandorisë osmane.

Në dallim nga përkeqësimi i marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Ankarasë, Shtetet e Bashkuara i kanë përmirësuar shumë marrëdhëniet e tyre me Greqinë – gjysmën tjetër të krahut jetik jugor të NATO-s – që nga zgjedhja e qeverisë së qendrës së djathtë të Mitsotakis në vitin 2019.

Ky ndryshim i dukshëm në marrëdhëniet e aleancës, i shumëfishon stimujt që Shtetet e Bashkuara të anojnë në drejtim të Greqisë nëse mund të ndodhin akte armiqësore, sidomos nëse Turqia është e vendosur të jetë agresore. Kjo duket se ka formësuar perceptimin e Erdoganit, me kritikat e tij të ashpra ndaj një baze të re të NATO-s në Aleksandropoli, një port grek shumë pranë kufirit me Turqinë.

Kjo dinamikë është diktuar nga trajektoret diametralisht të kundërta të institucioneve të brendshme të secilit aleat, me Greqinë që po liberalizohet vazhdimisht dhe Turqinë që po lëviz në një drejtim edhe më autoritar. Administrata Biden e ka pozicionuar Amerikën në krye të një aleance të demokracive kundër autoritarizmit në mbarë botën. Ndaj një konflikt i mundshëm midis Turqisë dhe Greqisë do ta testonte fort këtë qasje.

Pasojat e menjëhershme të një pushtimi turk të ishujve grekë janë të paqarta. Në Traktatin e Atlantikut të Veriut nuk ka dispozita për sanksionimin, dëbimin ose ndëshkimin ndryshe të një shteti anëtar të NATO-s. Përveç kësaj, NATO është e kufizuar nga procedura. Ajo operon mbi parimin e unanimitetit, dhe uniteti midis 29 vendeve anëtare kërkon kompromis.

Që NATO të ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkues kundër njërit prej tyre, do të kërkonte që aleanca të improvizonte përgjigjen e saj ndaj një pushtimi turk të ishujve grekë. Dhe për këtë nuk ekziston asnjë precedent real. Analogjia më e afërt është pushtimi turk i Qipros

në vitin 1974. Në atë rast, NATO u drejtua nga liderë me prioritete të qarta dhe me koncepte strategjike që i drejtonin veprimet e tyre, pra duke mbajtur të bashkuar krahun jugor të NATO-s së dhe duke parandaluar depërtimin sovjetik në Mesdheun Lindor.

Asnjëra nga këto cilësi nuk është e pranishme në udhëheqjen aktuale të NATO-s, siç është parë nga reagimi në thelb i improvizuar i Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës, në të cilin nuk është përcaktuar asnjë objektiv politik, me gjithë përpjekjet e mëdha për ta kthyer balancën e forcave në krahun e Ukrainës.

Paqartësia e natyrshme e situatës, nuk ka gjasa të ketë lënë në hije atë që ka të ngjarë të jetë një presioni i madh ndërkombëtar për ta detyruar Turqinë të tërhiqet nga agresioni, jo vetëm nga brenda aleancës, por edhe nga Bashkimi Evropian. Pavarësisht se çfarë mund të bëjë NATO si reagim ndaj një ofensive turke, marrëdhënia e Ankarasë me aleancën ka të ngjarë të bëhet më e distancuar, duke e lënë Ankaranë me pak opsione të mira në dispozicion.

Potencialisht Turqia mund të largohet edhe nga aleanca e NATO-s me vullnetin e saj, sidomos nëse i sheh të padurueshme sanksionet amerikane dhe evropiane. Por një skenar i tillë nuk ka gjasa të ndodhë, pasi Turqia nuk ka një nxitje të qartë për ta bërë këtë.

Por ajo mund të tërhiqet përkohësisht nga struktura komanduese e NATO-s, siç bëri në mënyrë simbolike Franca e Charles de Gaulle në vitet 1960. Por nuk ka dyshim se pasoja me shqetësuese e çdo konfrontimi diplomatik midis NATO-s dhe Turqisë është kërcënimi i një marrëdhënieje dypalëshe të thelluar midis Ankarasë dhe Moskës, duke krijuar efektivisht një pykë brenda krahut jugor të NATO-s dhe dëmtuar qëllimin e pranisë së Turqisë në aleancë.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gjendje ta trajtojnë NATO-n sikur të ishte bordi i drejtorëve të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, ku kontributet e dikujt ishin proporcionale me ndikimin e tij.

Tani duhet një udhëheqje gjithnjë e më e madhe amerikane për ta lëvizur aleancën në një drejtim të caktuar, ndërkohë që anëtarët e saj më të fuqishëm, që ndihen më pak në nevojë për mbrojtjen e aleancës, të ndihen të lirë të përcaktojnë rrugën e tyre kur aleanca nuk i përmbush nevojat e tyre të menjëhershme.

I tillë është rasti me Turqinë që ofron shërbimet e saj të mira për marrëveshjet ndërmjetësuese në lidhje me dërgesat e grurit nga Ukraina, dhe madje edhe një përpjekje të dështuar për të negociuar fundin e konfliktit. Pra Shtetet e Bashkuara mund të presin më shumë sfida nga brenda NATO-s /albeu.com

Marrë me shkurtime

 

Shënim:Brandon Patterson, ekspert i sigurisë kombëtare, i diplomuar në Shkollën e Politikave dhe Strategjisë Globale të Universitetit të Kalifornisë. Dino Bozonelos, lektor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Globale në Universitetin e Kalifornisë.