Përfshirja e SHBA-së në konfliktin Iran-Izrael/ Erdogan: Nuk i miratojmë sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane, pavarësisht se nga vijnë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar për herë të parë pas sulmeve ajrore dhe raketore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit.

Erdogan tha se Turqia nuk i miraton sulmet ndaj sovranitetit të Iranit dhe sigurisë së rajonit, “pavarësisht se nga vijnë”, pa bërë ndonjë referencë specifike për Shtetet e Bashkuara dhe homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Duke folur në një aktivitet të sindikatës së nëpunësve civilë në Ankara, presidenti turk tha: “Ne jemi vendi që ka demonstruar qëndrimin më të qartë që nga 7 tetori. Ndërsa opozita zyrtare njollos rezistencën palestineze, duke e karakterizuar atë si terrorizëm, ne qëndrojmë të palëkundur në krah të vëllezërve tanë në Gaza. Po bëjmë përpjekje të forta që sulmet e Izraelit dhe mbështetësve të tij kundër vendit tonë fqinj, Iranit, të mos çojnë në një katastrofë edhe më të madhe. Ne kurrë nuk i miratojmë sulmet ndaj sovranitetit të rajonit tonë dhe shprehim kundërshtimin tonë.”

Erdogan tha se nesër, të martën, më 24 qershor, do të jetë në Hagë për Samitin e NATO-s dhe theksoi mobilizimin e tij për të shmangur fatkeqësitë e pariparueshme.

“Ne po përpiqemi ta çojmë vendin tonë nga ujërat e trazuara në ujërat e qeta. Ne nuk veprojmë bazuar në politika të përkohshme, por duke parashikuar rreziqet e fshehura. Ne e bëmë dhe do ta bëjmë në mënyrë që asnjë nga 86 milionë qytetarët tanë të mos dëmtohet”, u shpreh ai.


Shtuar 23.06.2025 18:32