Përcillet në banesën e fundit boksieri që u vra me kallash

Tassos Berdesis, boksieri grek që u vra një ditë më parë me breshëri kallashnikovi në Vari, është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit, në vendin e tij të origjinës, Mitopoli.

Familja dhe të afërmit i dhanë atij lamtumirën e fundit në Kishën Agios Nikolaos Mitopolis. Nëna e tij humbi ndjenjat ndërsa të prekur u panë edhe vëllezërit e boksierit.

Autorët e krimit e qëlluan Berdessis nga një distancë shumë e afërt me 14 plumba, 10 nga të cilët e kapën boksierin duke i shkaktuar vdekjen.

Ai kishte pasur probleme me drejtësinë më shumë se një dekadë më parë kur kishte qenë anëtar i një bande kriminale të shkatërruar në vitin 2005. Për disa vite Berdessis qëndroi në arrati dhe më pas u arrestua dhe vuajti dënimin

Edhe pse i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë ai bënte një jetë të kujdesshme duke u ruajtur nga e shkuara, pasi frekuentonte gjithmonë të njëjtat vende dhe shkonte në një palestër në zonë jo shumë të populluar.

Duket se autorët kishin ndjekur çdo hap të tij pasi kishin siguri se ai do të ishte në vendin ku e qëlluan për vdekje, ndërsa breshëria e plumbave sipas hetuesve është tregues që ata nuk donin ta linin të gjallë.


Shtuar 1.06.2021 18:34