Rusia dhe Ukraina e kanë kompletuar këmbimin e nga 1.000 të burgosurish secila të dielën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ky është këmbimi më i madh i këtij lloji që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Këmbimi treditor nisi të premten dhe përfshiu kryesisht të burgosur lufte, si dhe nga 120 civilë prej secilës palë. Të dielën, të dyja palët këmbyen nga 303 të burgosur.
“Sot, luftëtarë të Forcave tona të Armatosura, Gardës Kombëtare, Shërbimit të Kufirit Shtetëror dhe Shërbimit Shtetëror të Transportit Special, po kthehen në shtëpi”, shkroi Zelensky në Telegram.
Këmbimi ishte i vetmi hap konkret drejt paqes që doli nga bisedimet mes Moskës dhe Kievit.
Në bisedimet e para që nga fillimi i pushtimit – të mbajtura në Stamboll në fillim të këtij muaji – Kievi dhe Moska u pajtuan t’i këmbenin secili nga 1.000 të burgosur lufte.
Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore kanë bërë thirrje për një armëpushim 30-ditor parakushte, për ta mundësuar nisjen e bisedimeve për paqe.
Besohen se qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët janë plagosur ose vrarë në konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndonëse asnjëra palë nuk publikon shifra të sakta të viktimave.
Dhjetëra mijëra civilë ukrainas gjithashtu kanë humbur jetën pasi forcat ruse kanë rrethuar dhe bombarduar qytetet ukrainase.
Të premten, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se pasi të përfundojë këmbimi, Moska do të jetë e gatshme t’ia paraqesë Ukrainës një projekt-marrëveshje për paqe afatgjatë.
Derisa po ndodhte kwmbimi tw dielwn, Rusia kreu bombardime të pandërprera me dronë dhe raketa në Ukrainë për natën e dytë radhazi, duke i vrarë të paktën 12 njerëz dhe duke i plagosur dhjetëra të tjerë.
Në përgjithësi, Rusia i përdori 69 raketa të llojeve të ndryshme dhe 298 dronë, përfshirë dronët e dizajnuar nga Irani, të njohur si Shahed, tha Ihnat për Associated Press.
Ishte “sulmi më i madh në aspektin e numrit të armëve ajrore në territorin e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022”, theksoi Ihnat. /rel