Pas vizitës në Izrael, gjashtë kongresistë amerikan akuzojnë Netanyahun për “shpërfillje të plotë” të jetës së palestinezëve

Gjashtë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, që janë kthyer nga një vizitë në Izrael, e kanë akuzuar kryeministrin e këtij shteti, Benjamin Netanyahu, për “shpërfillje të plotë ndaj jetës së palestinezëve” dhe kanë shprehur frikë se ai po lëviz drejt “shkatërrimit të plotë” të Gazës.

Këta demokratë, përfshirë demokraten më të lartë në Komisionin e Përcaktimeve në Dhomën e Përfaqësuesve, Rosa DeLauro, i bënë këto komente në një deklaratë të publikuar të premten. Ata e përfaqësojnë brumin e ideologjive të Partisë Demokratike dhe në grup përfshihen disa anëtarë me qëndrime pro-izraelite në të kaluarën, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Deklarata e tyre erdhi në kohën e njoftimit nga presidenti amerikan, Joe Biden, se ShBA-ja do të hedhë ndihma humanitare nga ajri në Gaza pas një incidenti vdekjeprurës të enjten, kur Hamasi tha se mbi 100 njerëz u vranë gjatë shpërndarjes kaotike të ndihmave nën rrethana të kontestuara. Izraeli tha se u shkaktuan dhjetëra viktima nga një shtypje e turmës që shkoi me nxitim te një autokolonë me ndihma.

Duke folur shkurt të premten me gazetarë në Zyrën Ovale, Bideni e quajti këtë ngjarje “tragjike dhe alarmuese”.

“Ne duhet të bëjmë më shumë dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë më shumë. Ditëve të ardhshme, ne do të bashkohemi me të gjithë miqtë tanë në Jordani dhe me të tjerë që kanë ofruar hedhje nga ajri të ushqimit dhe furnizimeve shtesë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Rekomandimet në deklaratën e nënshkruar nga gjashtë kongresistët – Rosa DeLauro, Sean Casten, Madeleine Dean, Becca Balint, Salud Carvajal dhe Mark Takano – ishin në vijë me politikat e Bidenit, përfshirë thirrjen për një armëpushim 6-javor për t’i lehtësuar lirimin e të gjitha pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi dhe hyrjen e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Rripin e Gazës.

Megjithatë, toni i deklaratës ishte i jashtëzakonshëm dhe mund të shihej vetëm si një paralajmërim që demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve do të vazhdonin që të distancohen dukshëm nga Izraeli për aq gjatë sa Netanyahu është kryeministër, thekson gazeta izraelite.

Gjashtë demokratët haptazi e fajësuan Netanyahuan për dështimin që t’u sigurohet lehtësim palestinezëve.

“Ne jemi thellë të brengosur se kryeministri Benjamin Netanyahu është duke lëvizur drejt shkatërrimit të plotë të Gazës dhe ka shfaqur një shpërfillje të plotë për jetën e palestinezëve” – thuhet në deklaratën e gjashtë ligjvënësve amerikanë.

“Gati 30 mijë palestinezë janë vrarë, ndërsa gati 70 mijë të tjerë janë lënduar e mijëra janë zhdukur. Ai në mënyrë të turpshme nuk ka qenë i gatshëm që t’i lejojë shërbimet humanitare në shkallën e nevojshme” – thuhet më tej në deklaratën e tyre.


Shtuar 2.03.2024 20:45