Pas përshkallëzimit të dhunës në kufi, Afganistani dhe Pakistani bien dakord për një armëpushim të përkohshëm

Pakistani dhe Afganistani kanë ranë dakord sot, 15 tetor, për një armëpushim të përkohshëm, siç njoftoi Islamabadi, pas përplasjesh të ashpra mes forcave të dy vendeve dhe një sulmi ajror që rriti ndjeshëm tensionet në rajon dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 12 civilëve.

Përplasjet e sotme përgjatë kufirit të diskutueshëm përshkallëzuan një situatë tashmë të brishtë pas përleshjeve të fundjavës, që lanë dhjetëra të vdekur, incidenti më i rëndë mes dy vendeve myslimane që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në Kabul në vitin 2021.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Pakistanit bëri të ditur se dy vendet kanë rënë dakord për të zbatuar një armëpushim 48-orësh.

“Gjatë kësaj periudhe, të dyja palët do të përpiqen sinqerisht, përmes dialogut konstruktiv, të gjejnë një zgjidhje pozitive për këtë çështje të ndërlikuar, por të zgjidhshme”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se armëpushimi u ra dakord pas një kërkese nga qeveria talebane e Afganistanit.

Nga ana e tij, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha se marrëveshja për armëpushim ishte rezultat i “kërkesës dhe ngulmimit të palës pakistaneze”.

Qeveria në Kabul ka urdhëruar të gjitha forcat e saj të respektojnë armëpushimin, për sa kohë që edhe pala tjetër nuk do të ndërmarrë veprime agresive, theksohet në një deklaratë zyrtare.

Përplasja më e fundit mes dy vendeve, që dikur ishin aleate të ngushta, shpërtheu pasi Islamabadi i kërkoi administratës talebane të Afganistanit të ndërmarrë masa kundër militantëve që kanë intensifikuar sulmet ndaj Pakistanit, duke operuar, sipas tij, nga strehimore të sigurta brenda Afganistanit.

Talebanët i kanë mohuar këto akuza dhe kanë akuzuar ushtrinë pakistaneze për përhapje dezinformimi, nxitje të tensioneve kufitare dhe për ofrim strehimi për militantë të lidhur me organizatën Shteti Islamik (ISIS), me qëllim destabilizimin dhe minimin e sovranitetit të Afganistanit.

Ushtria e Pakistanit i ka mohuar kategorikisht këto pretendime dhe ka theksuar se vetë ka qenë objektiv i sulmeve të Shtetit Islamik në Khorasan (ISIS-K), degës rajonale të grupit terrorist që operon në të dy vendet.


Shtuar 15.10.2025 18:05