Partia e Orban mban “peng” anëtarësimin e Suedisë, vendet e NATO-s trysni Hungarisë për të dhënë “dritën jeshile”

Vendet e NATO-s po shtojnë trysninë ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban për miratimin me shpejtësi të anëtarësimit të Suedisë në aleancë, pasi deputetët e partisë së tij refuzuan të votojnë në parlament për këtë çështje javën e kaluar.

Suedia ka paraqitur kërkesën për anëtarësim që pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022, por Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht ratifikimin.

Hungaria ka qenë anëtare e NATO-s për 25 vite dhe është tashmë i vetmi vend që po bllokon anëtarësimin e Suedisë në aleancë.

Parlamenti i Hungarisë është tashmë në periudhë pushimi, por deputetët e opozitës u mblodhën në një sesion të jashtëzakonshëm të hënën për të votuar kërkesën e Suedisë për anëtarësimin në NATO.

Megjithatë, deputetët e partisë në pushtet Fidesz, të kryeministrit Viktor Orban, refuzuan të marrin pjesë.

Tompos Marton është ndër deputetët e opozitës që kërkuan votimin.

“Nga njëra anë mund të themi që ishte një kalkulim i gabuar, se ata (partia Fidesz) thjesht nuk e kapën rrjedhën e zhvillimeve, nuk e kuptuan situatën. Nga ana tjetër është e kuptueshme se i vetmi person që përfiton nga kjo është Vladimir Putini. Orbani i ka bërë atij tashmë disa favore. Dhe përse jo edhe një tjetër?”, thotë Tompos Marton, deputet i Partisë Momentum.

Vendet aleate në NATO po shtojnë trysninë. Ambasadori amerikan David Pressman foli pasi vëzhgoi sesionin e të hënës në parlament.

“Kryeministri Viktor Orban premtoi të mbledhë parlamenti për t’i bërë thirrje të veprojë sa më shpejt. Sot ishte mundësia për ta bërë këtë dhe ne po e ndjekim këtë me vëmendje duke shpresuar që Hungaria të veprojë me shpejtësi”, tha ambasadori Pressman.

Senatori amerikan Ben Cardin, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha më herët këtë javë se Hungaria është anëtarja më e paqëndrueshme në NATO dhe se Uashingtoni duhet të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve dhe kufizimeve ndaj udhëtimit.

Gjermania tha të martën se miratimi nga Hungaria i anëtarësimit të Suedisë është “çështje besnikërie” ndaj NATO-s.


Shtuar 9.02.2024 20:57