Papunësia në Gjermani në nivelin më të lartë në 12 vjet, Merz: Sinjal alarmi! Rimëkëmbja ekonomike duhet të jetë prioritet

Në nivelin 6,6%, përqindja më e lartë e 12 viteve të fundit për muajin janar, arriti papunësia muajin e kaluar në Gjermani. Rritja i atribuohet faktorëve sezonalë, ndërsa perspektivat për të papunët nuk duken pozitive për momentin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Federale e Punësimit, numri i të papunëve në Gjermani arriti në 3,085 milionë persona, duke u rritur me 177.000 krahasuar me dhjetorin e vitit 2025 dhe duke tejkaluar për herë të parë që nga janari i vitit 2014 pragun e tre milionëve.

Siç shpjegoi drejtuesja e Agjencisë, Andrea Nahles, rritja lidhet me faktin se shumë kontrata pune përfundojnë në fund të vitit, ndërsa punësimi bie edhe në sektorë të ndikuar nga kushtet e motit, si ndërtimi, turizmi dhe bujqësia. Gjatë muajit janar, përfitues të ndihmës së papunësisë ishin 1,142 milionë persona.

Sipas Nahles, gjatë janarit të këtij viti është rritur edhe numri i të rinjve jashtë programeve të praktikës profesionale. Ndërkohë që 64.000 persona ishin të regjistruar në zyrat e punësimit, 23.000 prej tyre kishin oferta pune, por zgjodhën të vazhdojnë të shqyrtojnë alternativat e tyre.

Megjithatë, ajo pranoi se perspektivat për të papunët nuk janë të mira në këtë moment: “Ka shumë pak dinamizëm në tregun e punës aktualisht”, theksoi ajo, duke shtuar se numri i vendeve të lira të punës të regjistruara në zyrat e punësimit ka rënë në 598.000 – 34.000 më pak krahasuar me një vit më parë.

Çfarë deklaroi Merz?

“Rritja e numrit të të papunëve mbi tre milionë është një sinjal alarmi”, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke theksuar se “rimëkëmbja ekonomike duhet të jetë prioriteti kryesor i këtij viti”.

Merz është zotuar për rigjallërimin e ekonomisë pas dy vitesh recesion të lehtë, përmes rritjes së ndjeshme të shpenzimeve për infrastrukturën dhe mbrojtjen.

Megjithatë, siç vërehet, këto masa kërkojnë më shumë kohë nga sa pritej për të reflektuar efektet e tyre në ekonominë reale.


Shtuar 30.01.2026 22:07