Papa Françesku lutet për viktimat e sulmit terrorist në Moskë, kujton urdhëresën e Zotit: Mos vrit!

Papa Françesku, teksa iu drejtua sot besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit, mbajti një fjalim për sulmin e përgjakshëm në Moskë ku humbën jetën qindra qytetarë.

Papa tha se “lutet për viktimat e sulmit terrorist në Moskë” , ndërsa kujtoi një nga 10 urdhëresat e Zotit “mos vrit”.

“Ju lutem, të mos harrojmë Ukrainën martire. Sulmet kundër infrastrukturës së vendit jo vetëm që shkaktojnë vdekje dhe dhimbje, por sjellin edhe rrezikun e një tragjedie humanitare edhe më të madhe”, shtoi Papa.

24 Marsi u shpall ditë zie kombëtare, për viktimat e sulmit në sallën e koncerteve në periferi të Moskës ku mbetën të vrarë mbi 130 persona.

Flamujt u ulën në gjysmë-shtizë në gjithë vendin, ndërsa rusët vazhdojnë të dërgojnë lule në zonën ku ndodhi masakra.

Autoritetet bënë me dije se 154 persona mbetën të plagosur, ndërsa të paktën tre fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi militant, Shteti Islamik i cili publikoi edhe një video që pretendon ta ketë xhiruar njëri prej sulmuesve. Videoja, e cila zgjat rreth 90 sekonda, tregon katër persona . Njëri prej agresorëve shihet kur hap zjarr ndaj njerëzve që janë fshehur.

Rusia i ka arrestuar 11 persona që dyshohen se kanë pasur lidhje me ngjarjen përfshirë edhe katër personat e dyshuar.

Sulmi i 22 marsit është më i rëndi për Rusinë qe prej vitit 2004, kur një mijë njerëz u morën peng në një shkollë në Beslan, dhe më pas 333 persona gjysma e të cilëve fëmijë, humbën jetën.


Shtuar 24.03.2024 16:53