Një aeroplan i Delta Airlines që fluturonte për në Amsterdam u detyrua të bënte një ulje emergjente në Minneapolis të SHBA-së, pasi të paktën 25 persona u plagosën nga turbulencat. Fluturimi ishte nisur nga Salt Lake City, Utah, por u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Minneapolis-Saint Paul pas turbulencave.
“Personeli mjekësor priti fluturimin pas mbërritjes për të vlerësuar pasagjerët dhe ekuipazhin. Njëzet e pesë nga pasagjerët u transportuan në spitalet lokale për vlerësim dhe trajtim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e të gjitha ekipeve të emergjencës të përfshira,” tha Delta në një deklaratë.
Turbulenca ka qenë prej kohësh një problem për udhëtarët ajrorë, por ekspertët thonë se problemi po përkeqësohet në një epokë krize klimatike që po prodhon kushte më ekstreme atmosferike.
“Mund të presim një dyfishim ose trefishim të sasisë së turbulencave të forta në të gjithë botën në dekadat e ardhshme”, tha për BBC-në Paul Williams, një shkencëtar atmosferik në Universitetin e Reading.