Pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 8.8 të shkallës Rihter, që goditi gadishullin Kamçatka në Lindjen e Largët të Rusisë, u lëshuan alarme për cunami në disa pjesë të Oqeanit Paqësor, përfshirë edhe shtetin amerikan të Hawaiit.
Si reagim ndaj situatës emergjente, Oprah Winfrey ka hapur rrugën e saj private në ishullin Maui, për të ndihmuar në evakuimin e banorëve të zonës.
Zëdhënësi i saj konfirmoi për CNN se sapo morën lajmin për paralajmërimin e cunamit, ata u vunë në kontakt me autoritetet lokale dhe agjencinë federale për menaxhimin e emergjencave (FEMA) për të mundësuar hapjen e rrugës.
Sipas deklaratës, policia lokale është në terren dhe po menaxhon qarkullimin, duke lejuar kalimin e 50 makinave njëkohësisht për të siguruar rend dhe siguri. Rruga private do të qëndrojë e hapur për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Ndërkohë, në qytetin Kahului, në bregun verior të Mauit, është regjistruar një valë cunami mbi 1.5 metra, ndërsa portet detare në të gjithë Hawaii u mbyllën përkohësisht.
Më pas, Qendra e Paqësorit për Paralajmërimin e Cunamive njoftoi se rreziku i cunamit është ulur, por ende ekziston mundësia për valë të fuqishme, përmbytje të lokalizuara dhe rryma të rrezikshme detare.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe për reagimin e shpejtë dhe solidaritetin e shfaqur nga figura publike si Oprah, ndërsa autoritetet po vazhdojnë të monitorojnë situatën nga afër.