Opozita serbe proteston kundër korrupsionit, pas incidentit tragjik në Novi Sad

Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit serb  dje në mbrëmje nën sloganin “Korrupsioni vret!”.

Protesta e tyre u drejtua kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, pas shembjes së çatisë së stacionit kryesor hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit, 10 ditë më parë.

Katërmbëdhjetë njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga shembja e çatisë.

Deri më sot, nuk ka një shpjegim përfundimtar për shkakun e katastrofës.

Kritikët e qeverisë pohojnë se ka korrupsion mes atyre në pushtet, gjë që karakterizon edhe shumë fusha të tjera të jetës publike në Serbi.

Ndërtesa e stacionit në Novi Sad daton në vitin 1964 dhe iu nënshtrua rinovimeve të shumta vitet e fundit.

Megjithatë, çatia e stacionit nuk është përfshirë në këto rinovime dhe arsyet për këtë janë të paqarta.

Demonstruesit marshuan nga zyra e qeverisë në qendër të Beogradit drejt zyrës presidenciale vetëm disa qindra metra larg.

Partitë opozitare kishin bërë thirrje për këtë tubim.

Që nga fatkeqësia në Novi Sad, ka pasur disa demonstrata në qytetin verior serb dhe në Beograd.

Para largimit të tij për në Baku, Vuçiç pretendoi se protestat po nxiteshin nga “mediet anti serbe”.


Shtuar 12.11.2024 14:31