Kombet e Bashkuara dënuan të enjten Uashingtonin për përshkallëzimin e “hakmarrjes” kundër institucioneve ndërkombëtare pasi administrata Trump vendosi sanksione ndaj dy gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për shkak të hetimeve të tyre ndaj Izraelit.
Gjyqtarët e shënjestruar nga sanksionet e SHBA-së të enjten – Gotsa Lordkipanidze (Gjeorgji) dhe Erdenebalsuren Damdin (Mongoli) – kishin votuar më parë këtë javë kundër një kërkese izraelite për të mbyllur hetimin e GJND-së për krimet e luftës në Gaza.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë sanksione ndaj nëntë gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJND-së për hetimet e tyre mbi krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Izraeli.
“Njoftimi i djeshëm i sanksioneve të SHBA-së kundër dy gjyqtarëve të tjerë të GJND-së përbën një përshkallëzim të ri të hakmarrjes kundër institucioneve ndërkombëtare”, shkroi Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në platformën e mediave sociale X.
Këto sanksione të SHBA-së lidhen me vendimin e GJND-së në nëntor 2024 për të lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Galland për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio theksoi në një deklaratë të enjten se gjyqtarët që u sanksionuan më së fundmi kishin votuar më parë këtë javë për të mbajtur në fuqi këto urdhër-arreste.
Uashingtoni vendosi gjithashtu sanksione në korrik ndaj Francesca Albanese, raportueses speciale të OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, e cila e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid në Gaza.
“Sanksione të tilla kundër gjyqtarëve, si dhe kundër prokurorëve dhe ekspertëve të OKB-së, bien ndesh me sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë”, tha sot zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
