Një e ardhme më e mirë kërkon humbjen e Putinit, dhe fundin e aspiratave perandorake ruse

Nga Anne Applebaum “The Atlantic”

Përgjatë çerekshekull ekzistencë formale, Shkolla e Edukimit Qytetar në Moskë nuk kishte një kampus, një program mësimor ose profesorë. Përkundrazi, ajo organizoi seminare për politikanë dhe gazetarë, të udhëhequra nga politikanë dhe gazetarë të tjerë, nga Rusia dhe e gjithë bota.

Ajo drejtohej nga apartamenti i themeluesve të saj në Moskë, Lena Nemirovskaya dhe Yuri Senokosov. Të dy ishin njohur në vitet 1970 kur punonin në një revistë filozofike sovjetike, dhe ndanin një urrejtje të përbashkët ndaj politikës së dhunshme, arbitrare që kishte diktuar pjesën më të madhe të jetës së tyre.

Babai i Nemirovskayas ishte një i burgosur në Gulag. Në një rast Senokosov më tha se nuk mund ta hante më bukën e zezë ruse, pasi shija e saj i kujtonte varfërinë dhe tragjedinë e fëmijërisë së tij të kaluar në epokën sovjetike. Që të dy ata besonin se Rusia mund të ndryshonte.

Ndoshta nuk do të ndryshonte dhe aq shumë, dhe mbase në një mënyrë jo aq dramatike, por megjithatë do të ndryshonte. Nemirovskaya më tha një herë se ambicia e saj e madhe ishte thjesht ta bënte Rusinë “pak më të qytetëruar” nëpërmjet ekspozimit të rusëve ndaj ideve të reja.

Shkolla e tyre, një zgjatim i bisedave të zhvilluara në kuzhinën e tyre, u themelua pikërisht për të arritur atë qëllim të vetëm, jo revolucionar. Për një kohë të gjatë ajo pati sukses. Gjatë viteve 1992-2021, Nemirovskaya thotë se më shumë se 30.000 njerëz – parlamentarë, anëtarë të këshillave bashkiakët, biznesmenë dhe gazetarë – i ndoqën seminaret e tyre në të gjithë vendin mbi ligjin, zgjedhjet dhe median.

Lektorë ishin gazetarë britanikë, ministra polakë dhe guvernatorë amerikanë. Po ashtu, ata patën mbështetje financiare nga një gamë po aq e gjerë fondacionesh dhe filantropësh evropianë, amerikanë dhe rusë. Unë vetë kam marrë pjesë në mbi 12 seminare të tilla, kryesisht për të folur për gazetarinë.

Në atë kohë, ky projekt nuk dukej si naiv, idealist apo radikal, dhe aq më pak rebel. Edhe gjatë dekadës së parë të presidencës së Vladimir Putinit, politika demokratike ishte e kufizuar, megjithatë ende e ligjshme në Rusi. Pikëpamjet e opozitës toleroheshin, për sa kohë që ato nuk tërhiqnin shumë mbështetje popullore.

Ndaj pati shumë përpjekje për të organizuar diskutime, sesione trajnimi dhe leksione mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit. Por dalëngadalë, gjërat ndryshuan. Oficerët e FSB-së, policia sekrete ruse, filluan që të paraqiteshin rregullisht gjatë seminareve dhe të merrnin në pyetje të pranishmit.

Në shtypin rus u shfaqën artikuj negativë mbi shkollën. Në fund shteti e etiketoi shkollën si “një agjenturë të huaj”. Vitin e kaluar shkolla u mbyll. Nemirovskaya dhe Senokosov e shitën apartamentin e tyre dhe u transferuan në Riga të Letonisë, ku ata ende mbajnë seminare, tani për emigrantët rusë.

Gazetari rus Mikhail Zygar, themelues i një televizionit të pavarur “TV Rain”, ka shkruar një libër me titull “Perandoria duhet të vdesë”, ku ndër të tjera rrëfen historinë e mendimtarëve të pavarur të dëbuar nga Rusia në fillim të shekullit XX-të, disa prej të cilëve u rikthyen për ta reformuar vendin gjatë revolucionit.

Por shumica e tyre patën një problem madhor: as atëherë dhe as më vonë shumica e liberalëve rusë nuk e kuptuan se burimi i autokracisë ruse ishte vetë projekti perandorak. Ushtritë monarkiste ruse humbën përballë bolshevikëve edhe sepse nuk donin t’i bashkonin forcat me Poloninë e sapo-pavarësuar apo Ukrainën e fuqishme.

Idetë demokratike nuk triumfuan në asnjë lloj forme në vitet që pasuan Revolucionin Rus, pjesërisht sepse shteti duhej të përdorte një nivel të lartë dhune për të mbajtur Ukrainën, Gjeorgjinë dhe republikat e tjera brenda Bashkimit Sovjetik. Por as dekadat e frikës dhe varfërisë që pasuan Revolucionin Rus, nuk e zhdukën plotësisht besimin se ishte i mundur një lloj shteti tjetër.

Brezat e rinj të mendimtarëve vazhduan të dilnin jashtë errësirës sovjetike. Disa prej tyre do të ndihmonin në fillimin e lëvizjes moderne për të drejtat e njeriut. Të tjerë, si themeluesit dhe studentët e Shkollës së Edukimit Qytetar në Moskë, do të përpiqeshin të krijonin një Rusi alternative në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Natyrisht ata humbën përballë një diktatori tjetër që po përdor një luftë perandorake për të eliminuar armiqtë e tij, dhe për të përhapur terror në gjithë Rusinë. Megjithatë edhe tani, edhe pse shumica e rusëve po qëndrojnë të heshtur, edhe pse janë të gënjyer nga propaganda apo nën ndikimin e parullave nacionaliste, më shumë se 17.000 rusë brenda vendit kanë protestuar kundër regjimit dhe bashkatdhetarëve të tyre apatikë, ata kanë kundërshtuar imperializmin rus dhe për pasojë janë arrestuar ose burgosur.

Jashtë vendit, qindra mijëra rusë të zakonshëm kanë filluar të kuptojnë se sa ngushtë janë të lidhura midis perandoria dhe autokracia. Disa nga mërgimtarët e kohëve të fundit kanë hequr dorë krejtësisht nga politika dhe shumë prej tyre po i shmangen mobilizimit.

Por një grup i madh e kundërshton luftën nga jashtë, përmes faqeve të internetit në gjuhën ruse që raportojnë për luftën dhe që përpiqen të përçojnë informacionet e paçensuruara për rusët në Rusi. “TV Rain”, i mbyllur nga qeveria në mars, po funksionon sërish online, me qendër në Riga.

Ekipi i Alekxei Navalny, mbetjet e organizatës së tij të madhe kombëtare, po realizon video që kanë miliona shikues në YouTube, dhe që ende mund të shihen në Rusi. Garry Kasparov – ish-kampioni botëror në shah, që ndihmoi në organizimin e demonstratave në rrugë në Moskë në vitet 2000 dhe që tani është një “non grata” në vendin ku dikur ishte hero – deklaroi së fundmi se shpreson të ndërtojë një lloj “Koreje Jugore virtuale”, një opozitë në mërgim që ekziston në kontrast me një Rusi që po i ngjan gjithnjë e më shumë Koresë së Veriut.

Kasparov është një nga të shumtët që mendojnë se vetëm disfata ushtarake mund të sjellë ndryshime politike në Rusi. Tani ai beson se demokracia do të jetë e mundur vetëm “kur të çlirohet Krimea dhe kur flamuri ukrainas të valëvite mbi Sevastopol”.

Por ideja se mund të ketë një Rusi tjetër, një Rusi që është një shtet-komb dhe jo një perandori, nuk ka shumë peshë tani në Ukrainë. Përkundrazi, shumë ukrainas e konsiderojnë opozitën demokratike ruse po aq fajtore, po aq imperialiste dhe po aq përgjegjëse për luftën sa jo-disidentët.

Argumenti se nuk ka “rusë të mirë” bart një logjikë të thellë emocionale, por edhe një logjikë politike, dhe jo vetëm për ukrainasit. Tek e fundit, liberalët rusë kanë dështuar më parë. Ata dështuan në vitet 1900, dështuan në vitet 2000 dhe po dështojnë tani. Ata nuk arritën ta ndalonin Putinin, nuk arritën të parandalonin këtë katastrofë.

E ardhmja e Rusisë do të formësohet jo nga ligjet mistike të historisë, por nga mënyra sesi liderët dhe qytetarët e tij thithin dhe interpretojnë tragjedinë e kësaj lufte tronditëse, brutale, të panevojshme. Mënyra më e mirë që të huajt mund të ndihmojnë Rusinë të ndryshojë është të sigurojmë që Ukraina të rimarrë territorin e saj dhe ta mposhtë perandorinë ruse.

Po ashtu, ne mund të vazhdojmë të mbështesim ata rusë, sado i vogël të jetë numri i tyre, të cilët e kuptojnë pse humbja e Rusisë në këtë luftë është e vetmja rrugë drejt modernitetit; dhe përse disfata e saj ushtarake është i nevojshme për krijimin e një shoqërie më të begatë dhe të hapur. Prandaj perandoria ruse duhet të shkërmoqet.

Marrë me shkurtime

/albeu.com

Shtuar 16.11.2022 09:45