Nga Turqia në Rusi: Ja se si Moska vazhdon të importojë teknologjinë perëndimore pavarësisht sanksioneve

Nga Roberto Vivaldelli “Il Giornale

Rusia po vazhdon të importojë pajisje dhe gjysmëpërçues nga Perëndimi, duke arritur të anashkalojë me sukses sanksionet e ashpra ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit të këtij vitit, dhe madje edhe para pushtimit të Krimesë në vitin 2014.

Një sondazh i përbashkët nga agjencia britanike e lajmeve Reuters dhe Instituti i Shërbimeve të Bashkuara në Londër (RUSI), tregon historinë e zinxhirit të furnizimit, e cila vazhdon të furnizojë Moskën me elementët harduerikë dhe pajisje të tjera elektronike, për të cilat ajo ka një mungesë ekstreme dhe për këtë arsye detyrohet t’i importojë.

Investigimi mbi këtë tregti “të nëndheshme” identifikon një galaktikë importuesish dhe eksportuesish të panjohur, dhe zbulon se si dërgesat e gjysmëpërçuesve dhe teknologjive të tjera vazhdojnë që të mbërrijnë në Rusi, veçanërisht nga Hong Kongu dhe Turqia.

Nga Turqia në Rusi: Si anashkalohen sanksionet

Investigimi, që bazohet në të dhënat doganore, zbulon se importuesi rus OOO Fortap, një kompani me seli në Shën Petersburg, u themelua në prill nga një biznesmen, dhe që atëherë ka importuar komponentë elektronikë me vlerë të paktën 138 milionë dollarë, duke përfshirë pajisje të prodhuara në SHBA.

Në të zbulohen emra kompanish të njohura si Intel, AMD, Texas Instruments, Analog Devices. Një nga furnizuesit më të mëdhenj të OOO Fortap është kompania turke, Bion Group Ltd Sti, që deri vonë merrej me tregtinë e tekstileve, dhe që kohët e fundit e ka zgjeruar aktivitetin në sektorin e shit-blerjes së elektronikës me shumicë, raporton albeu.com.

Sipas të dhënave doganore të analizuara nga Reuters, një tjetër importues rus, OOO Titan-Micro, ka importuar të njëjtët elementë që nga fillimi i pushtimit. Ndër kompanitë që dërgojnë teknologjinë perëndimore në Rusi, është edhe një e tillë e regjistruar në Hong Kong, Pixel Devices Ltd. Fjala është për 210 milionë dollarë elementë elektronikë nga 1 prilli deri më sot, përfshirë të paktën 50 milionë dollarë në produktet e Intel dhe AMD deri më 31 tetor, sipas të dhënave doganore ruse.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Tregtisë reagoi mbi këtë çështje duke deklaruar: “Që nga fillimi i pushtimit, qasja e Rusisë ndaj gjysmëpërçuesve që vijnë nga të gjitha burimet është reduktuar me gati 70 për qind, për shkak të veprimeve të paprecedenta të koalicionit të 38 vendeve për t’iu kundërpërgjigjur agresionit të Putinit në Ukrainë. Çuditërisht, Rusia po punon shumë për t’iu shmangur kontrolleve”. Në realitet, siç e tregon edhe investigimi i Reuters, vëllimi i importeve të gjysmëpërçuesve nga Rusia, është rritur ndjeshëm.

Çfarë do të thotë kjo për luftën në Ukrainë

Siç raporton Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, kompanitë ruse të lidhura ngushtë me Qendrën e Teknologjisë Speciale me seli në Shën Petersburg – prodhuesi i UAV-së 1 Orlan-10 i lidhur me Ushtrinë Ruse – kanë rritur ndjeshëm importet e komponentëve të prodhimit perëndimor që nga fillimi i pushtimi i Ukrainës në shkurt.

Këto importe ka të ngjarë t’i japin mundësi Forcave të Armatosura të Federatës Ruse të ruajnë dhe zgjerojnë prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV). Të dhënat financiare, doganore, gjyqësore, dosjet e kompanive ruse dhe një sërë burimesh të tjera të hapura, tregojnë se shumë nga këto importe të produkteve perëndimore ka të ngjarë të blihen nga një kompani me qendër në Shën Petersburg e quajtur SMT-iLogic 3 në emër të qendrës së teknologjisë, e cila është e vendosur në të njëjtin qytet rus, e vendosur për herë të parë nën sanksione nga qeveria amerikane në dhjetorin e vitit 2016 për mbështetjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së po atë vit.

Këta komponentë, të cilët janë kyç si për planet e Rusisë për të zgjeruar prodhimin e UAV-ve por edhe për operacionet e saj të vazhdueshme në Ukrainë, dërgohen në Rusi nga një shumëllojshmëri eksportuesish të fshehtë me bazë në SHBA, Evropë, Kinë, Korenë e Jugut dhe Hong Kong,raporton albeu.com

Në shumë raste, këto kompani eksportues drejtohen nga shtetas rusë apo me shtetësi të dyfishtë. Rrjetet e përshkruara në këtë raport janë thelbësore që Rusia të vazhdojë të prodhojë armë me njohuritë teknologjike perëndimore, të cilat për momentin nuk i ka.

/albeu.com


Shtuar 22.12.2022 08:38