Netanyahu njofton marrëveshje prej 30 miliardë eurosh për shitjen e gazit natyror në Egjipt: Më e madhja në historinë e Izraelit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi sonte se i kishte dhënë dritën jeshile një marrëveshjeje të madhe gazi me Egjiptin, një kontratë me vlerë 30 miliardë euro.

“Sot, miratova marrëveshjen më të madhe të gazit në historinë e Izraelit , me vlerë 112 miliardë shekel”, tha kryeministri izraelit në një fjalim televiziv.

|Marrëveshja u arrit në bashkëpunim me kompaninë amerikane Chevron dhe nga shuma totale, 58 miliardë shekel (rreth 15.3 miliardë euro) do të përfundojnë në arkën e shtetit”, shtoi ai.

“Është marrëveshja më e madhe e eksportit (të gazit natyror) në historinë e Izraelit”, tha Ministri i Energjisë Eli Cohen.

Sipas Netanyahut, marrëveshja do të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit në rajon dhe do të ndihmojë në kapërcimin e një krize energjitike në Egjipt, i cili ka shpenzuar miliarda dollarë për importe të gazit natyror të lëngshëm pasi prodhimi i tij nuk arriti të përmbushë kërkesën.

Prodhimi i Egjiptit filloi të bjerë në vitin 2022, duke e detyruar vendin të braktisë planin e tij për t’u bërë një qendër rajonale furnizimi. Që atëherë, ai i është drejtuar Izraelit për të përmbushur nevojat e tij.


Shtuar 17.12.2025 21:42