Netanyahu në OKB: Izraeli duhet të përfundojë punën kundër Hamasit

I përballur me kritika dhe protesta jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u tha udhëheqësve botërorë se shteti i tij “duhet të përfundojë punën” kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë.

Udhëheqësi izraelit po përballet me izolim në rritje ndërkombëtar për shkak të refuzimit të tij që të ndalë luftën në enklavën palestineze.

Credins Bank oferte per pajisje me POS
“Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë dorëzuar nën presion”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Por, unë ju garantoj një gjë: Izraeli nuk do të dorëzohet”, shtoi Netanyahu.

Fjalimin Netanyahu e nisi pasi dhjetëra delegatë nga disa shtete u larguan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shenjë proteste.

Duke iu përgjigjur vendimeve të marra së fundi nga disa shtete për njohjen e shtetësisë palestineze, Netanyahu tha se “vendimet tuaja të turpshme do të nxisin terrorizmin kundër hebrenjve dhe kundër njerëzve të pafajshëm kudo”.

Teksa udhëheqësi izraelit mbante fjalim, në sallë u dëgjuan të bërtitura, ndërsa mbështetësit e tij e duartrokisnin.

Delegacioni i SHBA-së, shtet që e ka mbështetur Izraelin gjatë fushatës kundër Hamasit, qëndroi në sallë.

“Antisemitizmi nuk zhduket lehtë. Në fakt, nuk zhduket asnjëherë”, tha Netanyahu, i cili vazhdimisht ka akuzuar kritikët e tij për antisemitizëm.

Netanyahu po përballet me izolim ndërkombëtar, akuza për krime lufte dhe presion për përfundimin e luftës. Gjatë fjalimit, udhëheqësi izraelit tha se lufta mund të përfundojë menjëherë, nëse Hamasi pranon kushtet e Izraelit.

Siç ka bërë edhe në të kaluarën gjatë paraqitjeve në OKB, Netanyahu shfaqi edhe harta. Ai mbajti në duar një hartë, që përshkruante sfidat e Izraelit në rajon.

Qeveria izraelite ndërmori hapa në mënyrë që të sigurohej që personat që gjenden në Gazë të mund ta dëgjojnë fjalimin e Netanyahut, duke vendosur altoparlantë në kufijtë me këtë territor. Zyra e Netanyahut pretendoi se ushtria izraelite u kishte dërguar në telefona mobilë banorëve të Gazës fjalimin e Netanyahut.

Netanyahu tha se këto masa janë marrë në mënyrë që mesazhi i tij të mund të dëgjohet nga pengjet izraelite që po mbahen në Gazë. Ai madje iu drejtua pengjeve në hebraisht.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Gjatë fjalimit në OKB, Netanyahu përmendi emrat e 20 pengjeve që besohet se ende janë gjallë dhe po mbahen në Gazë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 65.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor, shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja./REL


Shtuar 26.09.2025 21:52

Tags: ,