Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se lufta kundër Hamasit do të përfundojë vetëm pasi të zbatohet faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila përfshin çmilitarizimin e plotë të Hamasit.
Në një intervistë për Channel 14, Netanyahu u shpreh se “faza e dytë nënkupton çarmatosjen e Hamasit, ose më saktë, çmilitarizimin e Gazës dhe konfiskimin e të gjitha armëve të tyre”.
“Sapo kjo të përfundojë me sukses, shpresoj në mënyrë të thjeshtë, por nëse duhet, edhe me forcë, atëherë lufta do të përfundojë,” shtoi ai.
Netanyahu, i cili aktualisht përballet me akuza për korrupsion në një proces gjyqësor të hapur, konfirmoi gjithashtu se do të kandidojë sërish për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kreu i partisë së djathtë Likud, Netanyahu mban rekordin si kryeministri me qëndrimin më të gjatë në historinë e Izraelit, me 18 vite në pushtet, me ndërprerje, që nga viti 1996.