Netanyahu injoron thirrjet për vetëpërmbajtje: Do ta vendosim vetë si të mbrohemi

Izraeli do t’i marrë vetë vendimet për mënyrën se si do ta mbrojë veten, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, pasi vendet e Perëndimit i bënë thirrje përsëri të vetëpërmbahet nga hakmarrja ndaj Iranit.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupi i vendeve të industrializuara (G7), njoftuan se po shqyrtojnë sanksione më të fuqishme kundër Iranit, të cilat thuhet se do të vendosen për ta kënaqur Izraelin dhe për ta bindur atë të mos i përgjigjet sulmit të Iranit.

Teherani i lëshoi qindra dronë dhe raketa drejt Izraelit më 13 prill, duke e kryer sulmin e parë të drejtpërdrejtë kundër armikut të vet të përbetuar.

Netanyahu u takua me sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Davi Cameron dhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të cilën e vizituan Izraelin të mërkurën në përpjekje për të mos e lejuar përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.

Zyra e Netanyahut tha se e ai i falënderoi Cameronin dhe Baerbockun për mbështetjen e tyre, derisa u tha atyre: “Dua të jem i qartë – ne i marrim vetë vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur veten”.

Më herët, Cameron tha se është e qartë se Izraeli ka bërë plane për t’u hakmarrë ndaj sulmit iranian me dronë dhe raketa, të cilin Teherani e kreu si përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar izraelit nga i cili u vranë zyrtarë ushtarakë në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill.

Baerbock tha se përshkallëzimi “nuk do t’i shërbejë askujt, as sigurisë së Izraelit, as shumë prej dhjetëra pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi [grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE], as popullsisë së përvuajtur në Gazë, as shumë njerëzve në Iran të cilët po vuajnë nën sundimin e regjimit, dhe as vendeve të treta në rajon, të cilat thjesht duan të jetojnë në paqe”.

Pas më shumë se gjashtë muajve luftë në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, e cila i ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme, diplomatët po kërkojnë mënyra për ta shmangur një luftë të drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit.

Shumica dërrmuese e dronëve dhe raketave iraniane të lëshuara drejt Izraelit të shtunën u rrëzuan nga ky i fundit dhe aleatët e tij, dhe nuk shkaktuan viktima.

Por, Izraeli thotë se i duhet të hakmerret patjetër për ta ruajtur besueshmërinë e mbrojtjes së vet. Irani, në anën tjetër, thotë se kjo çështje është e mbyllur, por se do të hakmerret nëse Izraeli e sulmon.


Shtuar 17.04.2024 18:39