Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky propozoi të mërkurën një armëpushim pa kushte me Rusinë deri në mbajtjen e një takimi midis udhëheqësve të vendeve, duke shtuar se Kievi është i përgatitur të takohet “çdo ditë” në Stamboll, Zvicër ose Vatikan.
“Rusët nuk janë gati për një armëpushim në nivelin aktual të delegacionit. Ata na thanë qartë se ky është një vendim që u takon udhëheqësve. Pra, ne propozojmë një armëpushim derisa të zhvillohet një takim i tillë”, tha Zelensky, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për idenë.
Ai tha se Ukraina është gati për një samit të liderëve që fillon të hënën dhe përmendi Turqinë, Vatikanin dhe Zvicrën si vende të mundshme.
Zelensky shtoi se mbështetja e Presidentit të SHBA-së Donald Trump do të vlerësohej. Ai tha se Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tashmë ka shprehur mbështetje për një takim të tillë, duke sugjeruar një format që përfshin Trump, Presidentin rus Vladimir Putin dhe veten e tij.
“Jemi gati për një takim të tillë në çdo ditë”, theksoi ai.
Zelensky nënvizoi se nëse takimi nuk arrinte të sillte uljen e tensioneve, Rusia mund të “i jepte fund armëpushimit në të njëjtën ditë”, por shtoi: “Nëse shohim gatishmëri për hapa për të ulur tensionin, ne do ta vazhdojmë armëpushimin me monitorimin dhe ndërmjetësimin amerikan.”
“Ne e bëjmë këtë propozim tani në mënyrë që njerëzit në Ukrainë dhe në botë të shohin se ekziston një shans i vërtetë për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.
Komentet erdhën pas raundit të dytë të bisedimeve midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll më 2 qershor, ku Kievi e ftoi Moskën në një samit të liderëve midis 20 dhe 30 qershorit.