Në mes të luftës/ Palestinezët kryejnë lutjet e të premtes në tendën pranë rrënojave në Rafah

Palestinezët kryenin sot lutjet e mesditës në ditën e fundit të Ramazanit, në një tendë të improvizuar si xhami në Rafah në jug të Gazës.

Zona vijon të jetë në gjendje të rëndë shkatërrimi dhe krize humanitare pas sulmeve gjashtë mujore izraelite dhe shembjes të infrastrukturës prej bombardimeve.

Besimtari Akram Hajjaj, shprehte zhgënjimin me shënjestrimin e infrastrukturës civile nga ushtria:

“Ky armik kriminel nuk bën dallim mes grave e fëmijëve, i gjithë populli palestinez është objektivi, siç e shihni ata kanë shkatërruar xhami, institucione, shtëpi.”

Ndërsa rezidenti i Rafah, Raaft al-Ali, tha për rrjetin AFP se megjithë kërcënimet e Netanyahu, “Ne do të qëndrojnë në këtë tokë. Ne jemi të duruar e të vendosur siç është i gjithë populli palestinez. Nuk merakosemi për kërcënimet e tij.”

Ndërkohë sot në qendër të Gazës raportohej për zjarr të ushtrisë izraelite, teksa tensionet rajonale gjithashtu duken në rritje me kërcënime të Iranit pas sulmit izraelit ndaj ambasadës në Siri.

61 vjecari palestinez Mohammed al-Rayes tha për rrjetin AFP se ishte larguar prej sulmeve ajrore dhe të artilerisë izrelite në Nuseirat, në qendër të Gaza.

“Kishte zjarr e shkatërrim, martirë të shtrirë në rrugë”, tha ai.

Rezidentja Laila Nasser, 40 vjeçe tha: “Ata duan të bëjnë në Nuseirat atë që bënë në Khan Yunis,” teksa tha se do të largohej drejt Rafah, si shumica e popullatës.

Trupat izraelite u tërhoqën në fundjavë nga Khan Yunis pas shkatërrimit të gjerë të qytetit në sulmin që sipas ushtrisë ishte kundër militantëve të Hamas./AFP/


Shtuar 12.04.2024 19:24