Lideri bjellorus Alyaksandër Lukashenko ka thënë të premten se i kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.
Prigozhini besohet të ketë vdekur nga rrëzimi i një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht, rreth dy muaj pasi e udhëhoqi një kryengritje të dështuar drejt Moskës me grupin e vet mercenar, Wagner.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte zotuar fillimisht se do ta shkatërronte kryengritjen e Prigozhinit në qershor, por disa orë më vonë u arrit një marrëveshje për lejimin e Prigozhinit dhe disa prej trupave të tij të shkonin në Bjellorusi.
Ekipet e shpëtimit në vendin ku u rrëzua avioni privat që i përkiste grupit Wagner, pranë fshatit Kuzhenkino në Rusi, më 23 gusht 2023.
Lukashenko, i cili e ndërmjetësoi marrëveshjen, e përdori një zhargon burgu pak pas kryengritjes jetëshkurtër të Wagnerit, kur tha se ai e kishte bindur Putinin të mos e “hiqte qafe” mercenarin i cili ndodhej në listën e udhëtarëve të avionit privat që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës.
Prigozhini, tha Lukashenka të premten, i kishte hedhur poshtë dy herë shqetësimet e ngritura nga ai për kërcënimet e mundshme me jetë me të cilat përballej ai.
Lukashenka tha më 25 gusht se e kishte paralajmëruar Prigozhin gjatë kryengritjes se do të “vdiste” nëse do ta vazhdonte marshimin drejt Moskës, ndaj të cilit Prigozhini ishte përgjigjur: “’Në djall – do të vdes’.”
Ai tha pastaj se, kur Prigozhini dhe Utkini, i cili ndihmoi në financimin e Wagnerit dhe ishte në listën e udhëtarëve të avionit që u rrëzua, kishin shkuar për ta takuar atë, ai i kishte paralajmëruar të dytë: “Bëni kujdes, djem!”
Nuk është saktësisht e qartë nga fjalët e Lukashenkos, të cilat u raportuan nga agjencia shtetërore e lajmeve BELTA, se kur kishte ndodhur biseda mes tyre.
Lukashenko, i cili njihej me Prigozhinin shumë kohë më parë dhe është aleat i ngushtë i Rusisë, tha se Putini nuk ka asgjë të bëjë me rrëzimin e avionit.
“E njoh Putinin: ai kalkulon çdo ditë shumë qetësisht, madje avash. Nuk mund ta paramendoj se Putini e ka bërë atë, se Putini është fajtori. Është thjesht punë shumë joprofesionale”, tha Lukashenko.
Kremlini e mohoi të premten çfarëdo përfshirje në rrëzimin e avionit afër Moskës nga i cili besohet se u vra Prigozhin.
Lukashenko njoftoi, po ashtu, se luftëtarët e Wagnerit do të mbesin në Bjellorusi.
“Ata do të jetojnë këtu dhe do të punojnë me ne për aq gjatë sa ne kemi nevojë për këtë njësi”, shtoi ai.
Bjellorusia besohet se i strehon mijëra mercenarë të Wagnerit, të cilët u zhvendosën atje pas rebelimit jetëshkurtër në qershor.
Trupat e Wagnerit luajtën rol të rëndësishëm në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke i ndihmuar ushtrisë ruse t’i zaptojë pjesët kryesore të qytetit Bahmut, pas gati 10 muajve luftimesh intensive./ REL