Ndryshon mosha e daljes në pension në Danimarkë, ja sa shkon në vitin 2040

Parlamenti danez ka miratuar, pa shumë kundërshtime, një ligj që rrit moshën e daljes në pension në 70 vjeç nga viti 2040, nga 67 që është sot.

81 deputetë votuan pro ligjit dhe 21 kundër. Në Danimarkë, që nga reforma e vitit 2006, mosha e daljes në pension është lidhur me jetëgjatësinë dhe rishikohet çdo pesë vjet.

Në vitin 2030, mosha e daljes në pension do të jetë 68 vjeç dhe në vitin 2035 në 69 vjeç.

Ligji i ri e përcakton moshën e daljes në pension në 70 vjeç për ata që kanë lindur pas 31 dhjetorit 1970 , pra për të gjithë ata që do të jenë 69 vjeç në vitin 2040 e më tej. Verën e kaluar, kryeministrja 47-vjeçare Mette Frederiksen tha se ishte gati ta rishikonte sistemin kur mosha e daljes në pension të arrinte në 70 vjeç.

“Ne nuk besojmë më në automatizimin e rritjes së moshës së daljes në pension”, i tha ajo gazetës Berlingske në gusht.


Shtuar 22.05.2025 20:03