Musk ‘sulmon’ Trump: Projektligji për taksat dhe shpenzimet është i neveritshëm

Elon Musk ka kritikuar ligjin e ri për taksat dhe shpenzimet të presidentit Donald Trump, duke e quajtur atë në rrjetin X si “të neveritshme” dhe duke thënë se “nuk e duron dot” këtë legjislacion.

Ligji i cili përfshin ulje taksash me vlerë triliona dollarë dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen, ndërsa lejon gjithashtu qeverinë amerikane të huazojë më shumë para u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj, sipas BBC.

Në platformën X, Musk tha se ata që votuan për miratimin e ligjit “janë gabim”.

Musk më herët e kishte quajtur ligjin, një nga politikat më të rëndësishme të Trump-it, si “zhgënjyes”, sepse besonte se minonte përpjekjet për kursime që po bënte ekipi i tij, i njohur si Doge.

Doge është shkurtimi për Departamenti për Efiçencën e Qeverisë, ndonëse nuk është një agjenci në nivel kabineti.

Koha e miliarderit të lindur në Afrikën e Jugut në administratën Trump përfundoi më 31 maj, megjithëse Trump tha se “ai do të jetë gjithmonë me ne, duke na ndihmuar në çdo hap”.

Vlerësimet tregojnë se ligji, në formën e tij aktuale, do të rrisë deficitin buxhetor diferencën midis shpenzimeve dhe të ardhurave të qeverisë me rreth 600 miliardë dollarë në vitin fiskal të ardhshëm.

Çfarë ka arritur Musk në Shtëpinë e Bardhë?

Në një sërë postimesh të martën në X, Musk tha se ligji i “mbushur me shpenzime të panevojshme” do të “rrisë në mënyrë masive deficitin e madh buxhetor në 2.5 trilionë dollarë dhe do të ngarkojë qytetarët amerikanë me një borxh të papërballueshëm”.

Në politikën amerikane, termi “pork” i referohet shpenzimeve që ligjvënësit i shtojnë ligjeve për të favorizuar zona apo interesat lokale.

E pyetur për komentet e Musk menjëherë pas postimit të tij të parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se “Presidenti tashmë e di se ku qëndron Elon Musk në lidhje me këtë ligj”.

“Ai është një ligj i madh, i bukur,” shtoi ajo. “Dhe ai do të qëndrojë pas tij.”

Legjislacioni gjithashtu zotohet të zgjasë uljet e taksave që do të skadojnë së shpejti dhe që u miratuan në mandatin e parë të Trump në vitin 2017. Po ashtu parashikon rritje të fondeve për shpenzimet ushtarake dhe për financimin e dëbimeve masive të emigrantëve pa dokumente.

Për më tepër, ai propozon ngritjen e kufirit të borxhit publik i njohur si “tavan borxhi” në 4 trilionë dollarë.

Komentet e Musk pasqyrojnë tensionet brenda Partisë Republikane në lidhje me planin, i cili ka hasur kundërshtime të forta nga fraksione të ndryshme të partisë gjatë rrugëtimit të tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Tashmë, Senati po e shqyrton ligjin dhe përçarjet kanë filluar të shfaqen edhe aty.

Senatori Rand Paul nga Kentaki ka thënë ditët e fundit se nuk do ta mbështesë ligjin nëse përfshin ngritjen e kufirit të borxhit.

“Republikanët do të jenë përgjegjës për borxhin sapo ta votojnë këtë,” i tha ai CBS Neës fundjavën e kaluar.

Trump iu përgjigj senatorit Paul me një sërë postimesh të zemëruara në rrjetet sociale, duke e akuzuar atë se “nuk e kupton fare ligjin” dhe duke thënë se “populli i Kentakit nuk e duron dot”.

“Idetë e tij janë vërtet të çmendura,” shkroi Trump.

Trump dhe republikanët në Kongres kanë caktuar si afat për ta kaluar dhe nënshkruar ligjin “e madh dhe të bukur” datën 4 korrik.

Postimet e Musk në platformën që ai zotëron gjithashtu sugjerojnë një përçarje me Trump, të cilin e ndihmoi të zgjidhej në zgjedhjet e nëntorit të kaluar me donacione mbi 250 milionë dollarë.

Për të arritur kompromis me republikanët e ashpër ndaj shpenzimeve, Trump po kërkon gjithashtu që Kongresi të miratojë një plan që do të ulte shpenzimet aktuale me 9 miliardë dollarë — një plan që raportohet se bazohet në punën e ekipit Doge.


Shtuar 3.06.2025 23:36

Tags: ,