Mori autorizimin nga Biden për përdorimin e armëve amerikane kundër Rusisë, reagon Zelensky: Raketat do flasin vetë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim mbrëmjen e sotme, pasi është raportuar se Presidenti ende në detyrë i SHBA, Joe Biden i dha “dritën jeshile” Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë kundër Rusisë.

Udhëheqësi ukrainas tha se plani për të forcuar Ukrainën ishte plani i fitores që ai ua prezantoi partnerëve dhe një nga pikat kyçe të tij ishin raketat me rreze të gjatë për ushtrinë ukrainase.

“Sot flitet shumë në media se ne po marrim leje për veprimet përkatëse. Por goditjet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk lajmërohen. Raketat do të flasin vetë. Sigurisht që do të flasin,” tha ai sipas Sky News.

Duke iu drejtuar sulmit të Rusisë gjatë natës, Zelensky tha gjithashtu se sot u shënua një nga sulmet më të mëdha dhe më të rrezikshme ruse në të gjithë luftën.

“Kjo është përgjigja për të gjithë ata që donin të arrinin diçka me Putinin përmes bisedave, telefonatave, përqafimeve, qetësimit. Sot, ky ‘pëllumb i paqes’ na dërgoi një tjetër breshëri raketash kinzhal dhe kalibr”, tha ai, ndërsa shtoi se “koha duhet të investohet jo për të folur me dikë në Moskë, por për ta detyruar vërtetë Rusinë t’i japë fund luftës”.


Shtuar 17.11.2024 23:37

Tags: ,