Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët nuk mund të aplikohet për gjithë bllokun e BE-së.
Mitsotakis ka shprehur rezerva lidhur me thirrjet për zgjerimin e këtij modeli në të gjithë Evropën, duke vënë në dyshim nëse një politikë e tillë do të ishte e zbatueshme në nivel evropian. Vetëm pak ditë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kishte kërkuar liderëve të BE-së, përpara mbledhjes së Këshillit Evropian më 17-18 tetor, të konsideronin krijimin e qendrave të ngjashme për emigrantët si ato të dakorduara mes Italisë dhe Shqipërisë.
Mitsotakis, duke folur për “Financial Times”, theksoi se kjo marrëveshje është dypalëshe dhe duhet parë nëse ajo do të funksionojë siç është parashikuar. Ai ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhte me emigrantët nëse një politikë e tillë do të shtrihej në nivel evropian.
Kryeministri grek theksoi gjithashtu nevojën për të balancuar frenimin e emigracionit të paligjshëm me rritjen e mundësive për emigracion të rregullt, duke përmendur nevojën për punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar në ekonominë evropiane.
“Nëse doni të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet gjithashtu një derë e madhe. Kush do të na vjelë ullinjtë? Ne jemi një kontinent që po zvogëlohet dhe të gjithë e kuptojmë se për të ruajtur produktivitetin tonë, do të kemi nevojë për punë, të pakualifikuar ose të kualifikuar”, tha kryeministri,” tha ai, duke vënë në dukje se Europa po përballet me një rënie demografike që kërkon zgjidhje për të mbajtur produktivitetin.
Mitsotakis gjithashtu apeloi për forcimin e përpjekjeve të BE-së për deportimin e atyre që u refuzohet azili, duke përmendur se vetëm 20% e këtyre rasteve përfundojnë me deportim.
Si një nga vendet që ndodhet në vijën e parë të krizës së emigracionit, Greqia ka qenë shpesh nën kritika për mënyrën e trajtimit të refugjatëve, por Mitsotakis theksoi se Greqia ka shpëtuar mijëra jetë në det, ndërsa përpiqet të kufizojë hyrjen e emigrantëve të paligjshëm.