Ministrja e Arsimit e Gjermanisë, Bettina Stark-Watzinger, ka bërë thirrje për një përgatitje më të mirë të nxënësve përballë krizave dhe fatkeqësive të mundshme, duke përfshirë edhe luftën.
Në një deklaratë për Deutsche Welle, anëtarja e Partisë Demokratike të Lirë (FDP), që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes civile.
Stark-Watzinger ka potencuar se shkollat duhet të merren me mbrojtjen civile dhe theksoi se qëllimi duhet të jetë “forcimi i qëndrueshmërisë sonë”.
“Shoqëria në tërësi duhet të jetë e përgatitur mirë për krizat – nga pandemitë, përmes fatkeqësive natyrore, deri te lufta”, ka thënë ajo.
Stark-Watzinger mori shembullin e Britanisë së Madhe e cila kryen ushtrime të mbrojtjes civile në shkolla, duke thënë se edhe Gjermania mund të mësojë të bëjë të njëjtën gjë.
Ministrja bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje “të qetë” midis nxënësve të shkollave dhe forcave të armatosura.
Ajo sugjeroi që zyrtarët ushtarakë të vizitojnë shkollat për të shpjeguar se çfarë “po bën Bundeswehr për sigurinë tonë”.
“S’e kuptoj rezistencën ndaj një praktike të tillë”, ka shtuar ministrja.