Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon Khamenein: Kur të dalësh nga bunkeri, shiko nga qielli

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka rinovuar deklaratat e tij të ashpra kundër udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në një përplasje të re verbale mes dy vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Katz shkroi:
“Kur të dalë nga bunkeri, Khamenei duhet të ngrejë sytë nga qielli dhe të dëgjojë me kujdes çdo shushurimë.”
Ky mesazh u interpretua gjerësisht si një kërcënim i drejtpërdrejtë që i referohet aktivitetit të dronëve izraelitë në rajon.

Deklarata e Katz erdhi si reagim ndaj një grafike të shpërndarë nga Teherani, e cila tregon zyrtarë izraelitë si objektiva për atentate, përfshirë edhe vetë ministrin e Mbrojtjes, të etiketuar si “Ministri i Terrorizmit Israel Katz”.

Grafika në fjalë thuhet se është një version i ndryshuar i një materiali izraelit të përdorur më parë për të njoftuar eliminimin e zyrtarëve iranianë gjatë konfliktit.

Ende nuk është e qartë ku është krijuar kjo grafikë dhe sa gjerësisht është shpërndarë, por Katz e ka publikuar atë si provë të kërcënimeve që, sipas tij, vijnë nga Irani.


Shtuar 11.08.2025 18:23