Ministri i Jashtëm iranian paralajmëron: Ushtria jonë është “me gishtin te këmbëza”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragçi, paralajmëroi sot se forcat e armatosura iraniane janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo sulmi amerikan, duke theksuar se ushtria është “me gishtin në këmbëz”. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e negociatave për programin bërthamor të Teheranit.

“Në të njëjtën kohë, Irani ka parë gjithmonë pozitivisht një marrëveshje bërthamore të drejtë dhe me përfitim të ndërsjellë, në kushte barazie, pa presion, kërcënime apo shantazhe, e cila garanton të drejtën e Iranit për teknologji bërthamore paqësore dhe siguron mungesën e plotë të armëve bërthamore”, shkroi Aragçi në një postim në platformën X.

Më herët gjatë ditës, një këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se në rast të një veprimi ushtarak amerikan kundër Teheranit, Irani do të vërë në shënjestër SHBA-në, Izraelin dhe aleatët e tyre.

Kërcënimi i Ali Shamkhanit erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Iranit të ulet në tryezën e negociatave dhe “të bëjë marrëveshje” për çështjen bërthamore, duke paralajmëruar se një sulm i ardhshëm amerikan do të ishte shumë më i ashpër.

Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme është forcuar ndjeshëm. Me mbërritjen e një aeroplanmbajtëseje dhe anijeve shoqëruese, numri i anijeve luftarake amerikane në rajon ka shkuar në dhjetë, duke i vënë në dispozicion Trump-it një fuqi të konsiderueshme zjarri në rast vendimi për sulm ndaj Iranit.

Sipas një zyrtari amerikan, në rajon ndodhen aktualisht 10 anije luftarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen “Abraham Lincoln”, tre shkatërrues që e shoqërojnë dhe avionë luftarakë F-35C, si dhe gjashtë anije të tjera që ndodheshin më herët në zonë.

Trump ka kërcënuar disa herë më parë Iranin me sulm ushtarak për shkak të shtypjes së protestave antiqeveritare, por më pas sinjalizoi një ndryshim qëndrimi, duke deklaruar se Teherani kishte ndalur ekzekutimet e protestuesve.


Shtuar 28.01.2026 23:18

Tags: ,