Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, ka dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Iranit lidhur me programin e tij bërthamor.
Në një intervistë për Top Channel, ai deklaroi se pengesat për një ndërhyrje ushtarake izraelite tashmë janë hequr dhe se në rast se Irani rifillon aktivitetet për zhvillimin e armëve bërthamore, Izraeli është i gatshëm të veprojë.
Eli Cohen theksoi se shteti izraelit po armatoset intensivisht për t’u përballur me çdo kërcënim potencial nga Teherani.
Duke folur gjithashtu për situatën në Rripin e Gazës, ai u shpreh se operacionet ushtarake në jug synojnë eliminimin përfundimtar të Hamasit.
Ministri shtoi se nëse Hamasi mposhtet, ekziston një plan i veçantë për të ardhmen e Rripit të Gazës dhe për stabilizimin e rajonit.
“Ne treguam aftësitë tona gjatë luftës 12-ditore. Nëse Irani vendos të rinisë programin e armëve bërthamore, ne do ta sulmojmë sërish. Të gjithë kanë frikë të sulmojnë Iranin, por ne jo.
Ne po armatosemi në mënyrë shumë serioze përballë programit bërthamor. Dhe në fakt, ne nuk po luftojmë vetëm për Izraelin, por për të gjithë botën e lirë. Hamas nuk do të qeverisë më në Gaza. Falë operacioneve tona, Nasrallah në Liban është neutralizuar dhe Assad u largua nga Siria. E njëjta gjë do të ndodhë në Gaza.
Eliminimi i Hamasit do t’i hapë rrugë një të ardhmeje ndryshe për banorët e Gazës, ku të drejtat e njeriut, demokracia dhe një ekonomi më e zhvilluar do të jenë të mundshme.”-tha Cohen.