Militarizimi i ekonomisë së Rusisë dhe rënia e oligarkëve

Nga Boris Grozovsky “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Lufta kundër Ukrainës nuk ka shkuar sipas planit që kishte hartuar Vladimir Putin. Kanë kaluar më shumë se 11 muaj, por më pak se 17 për qind e territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, është aktualisht nën kontrollin e Rusisë. Për më tepër, lufta ka qenë shumë më e gjatë dhe më e kushtueshme nga sa e priste Putin.

Rusia është nën sanksione të ashpra ndërkombëtare, çmimet e naftës ruse janë kufizuar me ligj, dhe oligarkët po përpiqen të tërheqin të gjitha asetet financiare nga vendi i tyre. Në këto kushte, presidenti rus është detyruar që të heqë mbështetjen sociale për shtresat më në nevojë, dhe të shtrydhë gjithçka ka mbetur nga ekonomia ruse për ta çuar tek buxheti i luftës.

Putin ka mjaftueshëm para për të vazhduar një luftë të gjatë, por situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Sanksionet kundër eksporteve ruse kanë filluar që të japin efektet e tyre të para. Kanë rënë ndjeshëm të ardhurat nga nafta dhe gazi. Buxheti federal do të marrë këtë vit më pak para dhe ekonomia do të bjerë. Moska parashikon një rënie vetëm 0.8 për qind të PBB-së këtë vit, por ekspertët parashikojnë një rënie të trefishtë.

Qeverisje me stilin e kursimit

Duke marrë parasysh inflacionin, eksportet e naftës dhe gazit ka të ngjarë të jenë 20-34 për qind më pak se sa ishin gjatë gjysmës së dytë të viteve 2010, parashikon CMACP, një institut kërkimi i lidhur me qeverinë ruse. Me këtë rënie të të ardhurave, buxheti dhe e gjithë ekonomia ruse do të detyrohen që të përshtaten me një jetë shumë më të varfër dhe më të thjeshtë.

Shpenzimet ushtarake janë të paprekshme dhe në rritje të vazhdueshme. Është e pamundur të llogaritet kostoja e saktë e luftës, tani për tani statistikat janë të klasifikuara dhe disa shpenzime ushtarake janë kamufluar si shpenzime civile – të përshkruara si pensione, industri, etj. – dhe pjesa e shpenzimeve buxhetore të klasifikuara është rritur nga 16 për qind në 2021 në 22.4 për qind këtë vit.

Por nga sa bëhet e ditur, është e qartë se shpenzimet për ushtrinë dhe sigurinë janë rritur nga 24 në 32 për qind të buxhetit në total, një shkallë kjo e paprecedentë. Kjo rritje e shpenzimeve nënkupton shkurtime të shpenzimeve civile. Për shembull, rritja e shpenzimeve sociale mezi do të mbulojë normën e inflacionin, edhe pse 1/3 e popullsisë varet nga ndihma financiare e qeverisë.

Një regjim agresiv ndaj biznesit privat

Por vetëm shkurtimi i shpenzimeve nuk do të mjaftojë. Oligarkët rusë shqetësohen se logjika e luftës do ta detyrojë qeverinë të shtetëzojë ose transferojë bizneset nga pronarë më pak besnikë tek ata më besnikë, siç ndodhi me kompanitë “Yandex” dhe “Tinkoff”.

Disa kompani të mëdha raportohet se kanë porositur studime nga historianët se si regjimet naziste dhe fashiste italiane i trajtuan pronat e mëdha private. Më radikalët, si kryetari i Dumës, parlamentit rus, Vyacheslav Volodin, kanë propozuar tashmë konfiskimin e pronave të rusëve që u shpërngulën jashtë vendit dhe që “hodhën publikisht baltë mbi Rusinë”.

Zyrtarët rusë janë të detyruar të arrijnë në të njëjtin përfundim, se qeveria duhet të marrë kontrollin e bizneseve, pronarët e të cilëve nuk e mbështesin fuqishëm luftën. Mobilizimi i të ardhurave ka filluar tashmë.

Vitin e kaluar, qeveria shtoi në buxhet fitimet e kompanisë Gazprom, ndërsa në dhjetor, rishikoi rritjen e pagesave të dividentëve për kompanitë shtetërore dhe vendosjen e një pagese një herë në buxhet për prodhuesit e qymyrit dhe plehrave kimikë. Anëtarët e elitës ruse e dinë se kjo lëvizje do të çojë drejt katastrofës. Lufta e ka shkëputur biznesin rus nga tregjet botërore dhe miliarderët nga pasuria dhe pronat e tyre në vendet e tjera. Hapi tjetër është reduktimi i fitimeve.

Ekonomi staliniste

Një ekonomi e kohës së luftës, karakterizohet nga planifikimi dhe mobilizimi i kontrolluar rreptësisht nga qendra. Përndryshe, është e pamundur që bizneset dhe njerëzit të punojnë për luftën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania dhe Shtetet e Bashkuara u detyruan të kalonin tek planifikimi dhe shpërndarja e centralizuar e produkteve të nevojshme për frontin dhe investimet.

Qasja mobilizuese e Rusisë është edhe më e veçantë. Në fundin e viteve 1920, Stalini e përshpejtoi planifikimin e mobilizimit, duke e vendosur atë në qendër të përgatitjeve për një luftë të ardhshme. Ai besonte se tërësia e burimeve njerëzore dhe materiale të vendit ishin të domosdoshme për të siguruar suksesin ushtarak.

Militarizmi stalinist kërkonte një transformim të detyruar të strukturave ekonomike dhe sociale drejt militarizimit, shumë të ngjashëm me atë që po përjeton sot Rusia. Bashkimi Sovjetik po përgatitej që të luftonte me gjithë botën. Që nga koha e Stalinit, luftërat janë bërë shumë më të avancuara në aspektin teknologjik.

Amerikanët nuk kishin nevojë që të mobilizoheshin për luftën në Irak. Putin mendonte se lufta në Ukrainë do të ishte e ngjashme, ndaj ai nuk kishte në plan të ndryshonte rrënjësisht sistemin socio-ekonomik. Por tani, kjo gjë po bëhet një domosdoshmëri, për sa kohë që qeveria ruse nuk mundet që ta pranojë humbjen duke u tërhequr nga territori ukrainas.

Pavarësisht përgatitjeve qartazi të dështuara për sulmin e shkurtin 2022 ndaj Ukrainës, gjithçka që i nevojitet Rusisë është një përpjekje e dyfishtë për të “shtypur më në fund armikun” ose kështu arsyetojnë pak a shumë ekspertët ushtarakë rusë. Në mesin e viteve 1930, ushtria sovjetike konsiderohej më e forta në botë.

Më pas, ajo pësoi disfata poshtëruese, humbje të miliona trupave dhe në fund korri vërtet një fitore ndaj Gjermanisë naziste por me koston e viktimave të paimagjinueshme dhe me ndihmën e aleatëve perëndimore. Putinit, të cilit i pëlqen ta krahasojë veten me Pjetrin e Madh, nuk e ka problem të përsërisë me raste “sukseset” e Stalinit.

Si udhëheqësit ushtarakë rusë, po ashtu edhe biznesmenët e mbajnë mend këtë histori. Pra, ata janë të vetëdijshëm se një luftë e vazhdueshme, e cila do të kërkojë një rritje të konsiderueshme të prodhimit të armëve, nuk do t’i linte të paprekura perandoritë e tyre të biznesit.

Shtetëzimi i drejtpërdrejtë nuk do të jetë i nevojshëm, pasi do të mjaftojë rregullimi i çmimeve, dërgesat e planifikuara të mallrave të nevojshme për ushtrinë, si dhe taksat e larta apo marrja e fitimeve, masa që kanë hyrë tashmë në zbatim. Si rezultat i tyre, bizneset ose do të falimentojnë ose do të kalojnë në duart e menaxherëve që janë besnikë ndaj shtetit.

Tani për tani ekonomia nuk do t’i ndjejë shumë efektet. Sepse shteti blen produkte nga bizneset me çmimet e tregut. Por logjika e veprimit të kohës së luftës dhe qeverisë pothuajse në mënyrë të pashmangshme do të çojë me siguri në një ekonomi të orientuar drejt luftës.

Së pari vjen kufizimi i fitimeve (është jo patriotike të fitosh shumë para nga porositë ushtarake), jo më pastaj nga çmimet (gjithçka për frontin, gjithçka për fitore). Mirë se vini në ekonominë e mobilizimit. /albeu.com


Shtuar 30.01.2023 13:48