Kompania Meta ka hequr llogaritë e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei në Instagram dhe Facebook, për shkak të postimeve që ka bërë në mbështetje të grupit palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Ne i kemi hequr këto llogari për shkelje të vazhdueshme të politikës sonë të Organizatave dhe Individëve të Rrezikshëm,” tha një zëdhënës i Meta. Bazuar në këtë politikë, organizatat apo individët që shpallin një mision të dhunshëm apo janë të përfshirë në dhunë hiqen nga platformat e kompanisë Meta.
Shumë aktivistë iranianë i kishin bërë thirrje më parë Metës dhe X që të çaktivizonin llogaritë e Khameneit për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut në Iran nën sundimin e tij.
Meta nuk iu referua në mënyrë eksplicite Hamasit, por Khamenei ka lavdëruar sulmet e grupit radikal palestinez ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u morën peng afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj duke nisur një ofensivë vdekjeprurëse ndaj Hamasit në Rripin e Gazës.
Irani është një mbështetës i fuqishëm i Hamasit, por ka mohuar se është përfshirë një sulmin që grupi radikal palestinez kreu ndaj Izraelit.