Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllën sot hapësirën e tyre ajrore, pasi ushtria njoftoi se po “i përgjigjej kërcënimeve me raketa dhe dronë nga Irani”, sipas AP.
Mbyllja ishte e përkohshme dhe u hoq shpejt, ndërsa pak më vonë u dëgjuan shpërthime, ndërsa forcat ajrore ndërhynin për të neutralizuar sulmet në hyrje.
Vendimi i menjëhershëm për mbylljen e hapësirës ajrore nxori në pah sfidën e autoriteteve emiratas për të balancuar sigurinë me funksionimin normal të linjave ajrore ndërkontinentale si “Emirates” dhe “Etihad”, në një kohë kur sulmet iraniane vazhdojnë të kërcënojnë rajonin.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite bëri të ditur se kishte kapur dhjetra dronë mbi provincën lindore, një zonë kyçe për infrastrukturën e naftës.
Në Katar, shpërthime u dëgjuan mbi kryeqytetin Doha në orët e para të mëngjesit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore ndërhynin për të ndalur sulmet. Autoritetet thanë më vonë se një sulm me raketë ndaj qytetit ishte zmbrapsur me sukses, megjithëse një predhë e rrëzuar shkaktoi zjarr në një zonë industriale.
Sulmet nga forcat e lidhura me Iranin vazhduan edhe në Irak. Ambasada e SHBA-së në Bagdad u godit nga cop[za rë ndryshme pas rrëzimit të dronëve sulmues. Sipas zyrtarëve të sigurisë, sistemet mbrojtëse arritën të rrëzojnë të katër dronët që synonin objektin diplomatik.
Një tjetër goditje u raportua në një banesë brenda kompleksit presidencial të fortifikuar në zonën al-Jadriya të Bagdadit. Nuk është ende e qartë se kush qëndron pas këtyre sulmeve, por milicitë e mbështetura nga Irani kanë sulmuar shpesh objektiva amerikane në Irak që nga fillimi i konfliktit.
