Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet që ditën e hënë të jetë në Londër për të biseduar me Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz në lidhje me marrëveshjen.
Në fokus të diskutimeve do të jenë bisedimet aktuale midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, të cilat kanë për qëllim gjetjen e një marrëveshjeje për të garantuar sigurinë e Ukrainës pas luftës.
Starmer ka theksuar vazhdimisht se Ukraina duhet të përcaktojë të ardhmen e saj dhe ka thënë se një forcë paqeruajtëse nga “koalicioni i gatshëm” do të luante një rol “thelbësor” në garantimin e sigurisë së vendit.
Të premten, negociatorët amerikanë dhe ukrainas në bisedime në Florida thanë se “progresi i vërtetë” drejt një marrëveshjeje paqeje varet nga “gatishmëria e Rusisë për të treguar angazhim serioz për paqe afatgjatë”.
Ndërkohë, administrata e Donald Trump po shtyn Kievin të pranojë një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja.
Vladimir Putin ka refuzuar tashmë disa pjesë të planit, ndërsa integriteti territorial i Ukrainës dhe masat për të penguar sulme të ardhshme ruse janë bërë pika kyçe mosmarrëveshjeje për Moskën.
