Gjyqi për zjarrin vdekjeprurës që shpërtheu në një klub nate në qytetin e Koçanit, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën rreth 200 të tjerë, do të nisë më 19 nëntor.
Njoftimi për nisjen e procesit gjyqësor u bë publik u bë ditën e sotme nga Gjykata Penale e Shkupit, ndërsa seanca pritet të zhvillohet në sallën gjyqësore të burgut të Idrizovës, në Shkup, për arsye sigurie dhe hapësire.
Në bankën e të akuzuarve do të ulen 37 persona, përfshirë pronarin dhe drejtuesit e klubit të natës, tre ish-kryetarë bashkie të Koçanit, dy ish-ministra të Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, pesë funksionarë shtetërorë si dhe persona të tjerë.
Sipas aktakuzës, ata dyshohen se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në shkaktimin e tragjedisë së rëndë, e cila tronditi vendin dhe shkaktoi zemërim të gjerë publik për mungesën e masave të sigurisë në ambiente publike.