Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron Kinën se hezitimi i saj për të frenuar përfshirjen e Koresë së Veriut në luftën e Ukrainës mund ta çojë në ndërhyrjen e NATO-s në Azi.
“Prania e Koresë së Veriut në Ukrainë është një pikëpyetje e madhe për të gjithë ne. Nëse Kina nuk dëshiron që NATO të përfshihet në Azinë Juglindore, ajo duhet ta parandalojë Korenë e Veriut të veprojë në tokën evropiane”, tha presidenti francez gjatë fjalimit të tij në forumin ndërkombëtar të mbrojtjes Shangri-La Dialogue në Singapor, sipas Politico.
Franca ka argumentuar prej kohësh se aleanca ushtarake transatlantike nuk duhet të zgjerojë ndikimin e saj në Azi dhe udhëhoqi fushatën për të bllokuar krijimin e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Japoni në vitin 2023.
“Unë kisha shprehur kundërshtimin tim ndaj rolit të NATO-s në Azi, sepse nuk besoj në përfshirjen në rivalitetet strategjike të të tjerëve”, tha Macron, duke lënë të kuptohet se Parisi mund të rishqyrtojë qëndrimin e tij.
Pjesëmarrja e trupave të Koresë së Veriut në operacionet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës po zhvillohet në kuadër të një pakti ushtarak me Rusinë, me Moskën që përdor ushtarët e Phenianit për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.