Luftëra, dhunë e tensione, cilat janë ngjarjet kryesore që e shënuan vitin 2023

Në këtë fundvit, Radio Evropa e Lirë ka përmbledhur ngjarjet kryesore që shënuan vitin 2023 duke përfshirë luftëra, dhunë e tensione.

30 janar: Një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë brenda një xhamie plot me njerëz, në një kompleks policor në Peshavar të Pakistani, duke vrarë më shumë se 80 persona e duke plagosur të paktën 200 të tjerë. Për sulmin, zyrtarët pakistanezë fajësuan organizatën e ndaluar, Tehreek-r-Taliban Pakistan, apo TTP, e cila mohoi përfshirjen e saj.

6 shkurt: Një tërmet prej 7.8 ballësh goditi Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë, në orët e hershme të 6 shkurtit, i pasuar nga tërmete të shumta më të vogla. Numri i të vdekurve kaloi shifrën 50.000 në të dyja vendet. Tërmetet dëmtuan apo shkatërruan qindra mijëra ndërtesa, duke lënë edhe një numër të madh të njerëzve pa strehë.

17 mars: Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një fletëarestim ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për përgjegjësi për krime lufte të kryera gjatë pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia. Akuzat përfshijnë dërgimin e paligjshëm të fëmijëve dhe transferimin ilegal të njerëzve nga Ukraina drejt Rusisë. Kremlini e quajti vendimin “të papranueshëm” dhe tha se fletëarrestimi i lëshuar nga gjykata është “i pavlefshëm” brenda Rusisë.

9 maj: Agjencia kundër korrupsionit e Pakistanit e arrestoi ish-kryeministrin Imran Khan, në Gjykatën e Lartë të Islamabadit. Khan ishte rrëzuar nga post imë 2022 dhe përballej me akuzat se kundërligjshëm kishte shitur dhurata shtetërore dhe kishte fshehur pasuri si kryeministër. Mbështetësit e tij u ngritën kundër arrestimit të tij, teksa policia shtypi protestat, duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.

26 maj: protestuesit në Zveçan, në veri të Kosovës, u përleshën me policinë, teksa turmat e serbëve u përpoqën të parandalonin hyrjen në zyrë të kryetarit të ri shqiptar. Trazira të ngjashme shpërthyen edhe në dy komuna të tjera të banuara me shumicë serbe, ku shqiptarët fituan zgjedhjet, mes bojkotit nga serbët. Misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, dislokoi trupa shtesë, në përpjekje për të rikthyer paqen. Dhjetëra trupa të KFOR’it u lënduan në përleshjet me protestuesit në Zveçan më 29 maj.

6 qershor: Shpërthimi i digës Nova Kahovka në lumin Dnjepër, shkaktoi vërshime masive në një zonë të okupuar nga Rusia në jug të Ukrainës. Fshatra dhe qyteza u përmbytën, ndërsa disa mijëra njerëz u detyruan të evakuohen. Ukraina akuzoi Rusinë, e cila kontrollonte digën që nga muajt e hershëm të vitit 2022, për sabotim të qëllimshëm. Zyrtarët rusë në territoret e okupuara në bregun lindro të Dnjeprit thanë se ishte Ukraina ajo që shkatërroi digën, për të larguar vëmendjen nga, siç thanë ata, mungesa e sukseseve në fushëbetejë.

7 qershor: Zjarret pyjore u përhapën nëpër Kanada ndërsa tymi arriti deri në lindje të Shteteve të Bashkuara, duke e ngritur alarmin për cilësinë e ajrit, qindra kilometra larg vatrave të tyre. Për zjarret e përhapura u fajësua moti pazakonshëm i nxehtë dhe i thatë, i nxitur nga ndryshimet klimatike. Ngjarje të tjera të shkaktuara nga moti ekstrem u regjistruan më vonë gjatë verës; koriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar, ndërsa pjesë të mëdha të Evropës u ballafaquan me përmbytje dhe zjarre të rrezikshme gjatë gushtit.

24 qershor: forcat e armatosura të grupit mercenar, Ëagner, të udhëhequra nga Yevgeny Prigozhin, morën kontrollin e qytetit jugor rus, Rostov. Prigozhin dërgoi disa prej forcave private të tij drejt Moskës, duke e quajtur avancimin “marsh për drejtësi”, për largimin e komandantëve të korruptuar ushtarakë, që ai i fajësoi për humbjet në Ukrainë. Kremlini arriti një marrëveshje me Prigozhinin për t’i dhënë fund rebelimit, duke thënë se udhëheqësi i mercenarëve do të largohej drejt Bjellorusisë, dhe se ndaj tij nuk do të zhvillohej rast penal. Prigozhin dhe udhëheqës të tjerë të Wagnerit më vonë u konfirmuan të vdekur, pas rrëzimit të një avioni në rajonin rus, Tver, më 24 gusht.

5 korrik: Në korrik, në Iran vazhduan protestat masive kundër zbatimit të kodeve të ashpra të veshjes fetare për gratë. Në Teheran, gratë dhe vajzat hoqën shamitë e tyre të kokës në një teatër plot njerëz. Në Rasht, demonstruesit u ballafaquan me policinë, e cila u përpoq t’i arrestonte gratë protestuese. E ashtuquajtura “polici e moralit” e Iranit, shtoi patrullimet për të zbatuar kodet e veshjes, mes zemërimit dhe protestave në mbarë vendin, pas vdekjes së një gruaje iraniane, Mahsa Amini, gjatë kohës sa ishte në paraburgim në shtatorin e vitit 2022. Ajo ishte arrestuar për shkak se gjoja nuk e kishte veshur si duhet hixhabin.

1 gusht: Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi ish-presidentin Donald Trump për konspiracion për mashtrimin e Shteteve të Bashkuara, përmes pengimit të Kongresit për certifikimin e fitores së presidentin Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Trump i hodhi poshtë akuzat ndaj tij. Më vonë gjatë gushtit, Trump u ngarkua me disa akuza tjera penale, në shtetin e Xhorxhias, për konspiracion me bashkëpunëtorët e tij për të zhbërë humbjen e tij zgjedhore më 2020. Ai, po ashtu, po përballet me akuza për bashtrim biznesor, për shkelje gjatë fushatës dhe për nxjerrje të dokumenteve të ndjeshme nga Shtëpia e Bardhë, në kohën kur ai po vazhdon garën e tij për t’u kthyer në postin e presidentit më 2024.

19 shtator: Forcat e azerbajxhanase nisën një operacion për të rimarrë në kontroll Nagorno- Karabakun, një territor i kontestuar, i banuar me shumicë armene. Protestat shpërtjyen në kryeqendrën e Armenisë, Jerevan, teksa turmat e zemëruara kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinian. Forcat separatiste armene në Nagorno- Karaban u pajtuan për një armëpushim, më 20 shtator, vetëm 24 orë pas fillimit të operacionit ushtrak. Sulmi shtyu mbi 100.000 armenë të ikin nga territori brenda më pak se një jave. Pashinian akuzoi Azerbajxhanin për “spastrim etnik” në rajon, një deklaratë që u mohua kategorikisht nga Bakuja.

24 shtator: Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. Ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ai “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi të aneksonte veriun e Kosovës- pretendime që i hodhi poshtë Beogradi zyrtar.

6 tetor: Komiteti Novergjez ia ndau Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023 aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi, e cila po vuan një dënim me burg prej 12 vjetësh.

7 tetor: Grupi radikal palestinez, Hamas, nisi një sulm të befasishëm në jug të Izraelit, duke lëshuar raketa nga Gaza dhe duke dërguar luftëtarë matanë kufirit. Sulmuesit e Hamasit vranë mbi 1200 persona dhe morën peng rreth 240 izraelitë. Izraeli u kundërpërgjigj me bombardimin më të ashpër të Rripit të Gazës në historinë 75-vjeçare të konfliktit të tij me palestinezët.

7 tetor: Një varg tërmetesh të fuqishme goditën provincën e Heratit, në Afganistan, më 7 tetor dhe në ditët pasuese duke shkaktuar shkatërrim të madh. OBSH tha se gati 1500 njerëz u mbytën nga tërmetet.

30 tetor: Në fund të tetorit, dhjetëra mijëra afganë që jetonin në Pakistan nxituan drejt kufirit, para skadimit të një afati që u kërkonte atyre të largoheshin nga vendi. Islamabadi tha se rreth 1.7 milion refugjatë dhe emigrantë pa dokumente duhej të largoheshin deri më 1 nëntor, në të kundërtën do të përballeshin me arrestim dhe dëbim.

14 dhjetor: Teksa Ukraina po vazhdon një luftë gati dyvjeçare kundër pushtimit rus, BE u pajtua për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me vendin e dërrmuar. Zelensky mirëpriti vendimin si votim besimi ndaj Ukrainës, teksa ajo po kërkonte ndihma për luftën e saj, përfshirë fondet e propozuara nga Shtetet e Bashkuara, që po vazhdojnë të kundërshtohen në Kongres. /REL/


Shtuar 25.12.2023 23:58