Lufta në Gaza, Starmer: Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin e Palestinës në OKB në shtator

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin e Palestinës në muajin shtator, përpara mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai thekson se kjo njohje do të bëhet nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund gjendjes së rëndë në Gaza, për të arritur një armëpushim, për të garantuar se nuk do të ketë aneksime në Bregun Perëndimor, dhe për t’u angazhuar në një proces paqeje afatgjatë që çon drejt zgjidhjes me dy shtete.

Starmer nënvizoi se “nuk ka asnjë ekuivalencë mes Izraelit dhe Hamasit”, dhe se kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Hamasit mbeten të pandryshuara.

Ai përsëriti që ata duhet të lirojnë të gjithë pengjet, të nënshkruajnë një armëpushim, të pranojnë se nuk do të luajnë asnjë rol në qeverinë e Gazës dhe të çarmatosen.

“Mund të konfirmoj se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë Shtetin e Palestinës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në shtator, përveç nëse qeveria izraelite ndërmerr hapa thelbësorë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, për të rënë dakord për një armëpushim dhe për t’u angazhuar për një paqe të qëndrueshme afatgjatë duke ringjallur perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha ai.


Shtuar 29.07.2025 18:20