Kundërshtarja e fundit përballë ish-presidentit, Nikki Haley shpreson të ndalë në Nju Hempshër Donald Trump

Si sfidantja e fundit përballë ish-presidentit Donald Trump, Nikki Haley shpreson që votuesit në Nju Hempshër të dëshirojnë mbajtjen e ish-presidentit larg Shtëpisë së Bardhë dhe që të marrin kështu pjesë masivisht në votimet paraprake të Partisë Republikane.

“Amerika nuk zgjedh mbret”, tha zonja Haley në një takim në Franklin, ku u shfaq së bashku me të bijën dhe dhëndrin. “Le t’ia tregojmë të gjithë klasës mediatike dhe klasës politike se ne kemi një tjetër plan në mendje dhe le t’i tregojmë vendit se çfarë mund të bëjmë”.

Është një betejë e vështirë për ish-ambasadoren në OKB dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut. Shumica e konservatorëve dëshirojnë t’i japin zotit Trump një tjetër shans për të mundur Presidentin Joe Biden, megjithë humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 dhe 91 akuzat penale me të cilat ai përballet në kuadrin e katër padive të ndryshme gjyqësore.

Ndërsa pritet të fillojë votimi paraprak në Nju Hempshër, pothuajse të gjithë zyrtarët kryesorë republikanë kanë shprehur mbështetjen për zotin Trump dhe anketimet në Nju Hemshpër tregojnë se ai pritet ta lërë pas zonjën Haley në këtë shtet, ku platforma e saj gëzon mbështetje të gjerë.

Ish-presidenti Trump pritet të mbajë aktivitetin e fundit mbrëmjen e së hënës. Ai e filloi ditën në Nju Jork, me gjyqin ndaj tij për padinë për shpifje nga një shkrimtare, për të cilën një juri e mëparshme gjyqësore vendosi se ai e pati abuzuar seksualisht. Kjo seancë gjyqësore u anulua për shkak se një nga anëtarët e jurisë ishte i sëmurë.

Së bashku me zotin Trump do të shfaqeshin në skenë të hënën tre nga ish-kundërshtarët e tij, të cilët tashmë e mbështesin: senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, sipërmarrësi i teknologjisë Vivek Ramaswamy dhe guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum. Ky demonstrim force është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga ekipi i zotit Trump për të siguruar fitoren në zgjedhjet paraprake dhe për të provuar se partia po bashkohet rreth tij.

Duke parë shifrat e anketimeve, zoti Trump dukej në pozita më të dobëta në Nju Hempshër se sa në të gjitha votimet e tjera të hershme për zgjedhjeve paraprake. Megjithëse votuesit e kanë mbështetur me diferencë të madhe në këtë shtet në vitin 2016, Nju Hempshëri njihet për një traditë të gjatë moderimi, si p.sh. me lejimin e votuesve të paregjistruar në parti që të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake republikane. Gjithashtu kuotat në anketime të zonjës Haley kanë qenë në rritje, duke e shtyrë fushatën Trump dhe aleatët e tij të harxhojnë miliona dollarë në përpjekje për të ngadalësuar fuqizimin e saj.

Thalia Flores, ish-demokrate që menaxhon dyqane, e ndryshoi regjistrimin e saj vjeshtën e kaluar si votuese e padeklaruar, ajo synon të votojë kundër zotit Trump në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër. Ajo thotë se do të mbështeste zonjën Haley në një garë me Presidentit Biden, megjithëse nuk ka votuar kurrë më parë për një kandidat republikan.

Por ajo sidoqoftë është e ndërgjegjshme për mungesën e mbështetjes së mjaftueshme për zonjën Haley në radhët e konservatorëve tradicionalë, për të mund zotin Trump.

“Çfarë duan republikanët?”, thotë zonja Flores në një tubim masiv të zonjës Haley gjatë fundjavës. “A janë mbështetës të vendosur të Trump-it, apo dëshirojnë Shtëpinë e Bardhë?”.

Largimi i guvernatorit të Floridas Ron DeSantis e shndërroi garën në një përballje mes dy personash, zotit Trump dhe zonjës Haley, gjë që është dëshiruar prej kohësh nga zonja Flores dhe nga një vazhdë e gjatë republikanësh anti-Trump.

Por disa tregues sinjalizojnë se zoti Trump mund të jetë në pozita më të mira për të përfituar nga largimi i zotit DeSantis, se sa zonja Haley. Sipas një anketimi të AP Votecast, mbështetësit e zotit DeSantis në Ajova e përshkruajnë veten përgjithësisht si konservatorë dhe në këtë shtet zoti Trump mori 53%, përkundër 13% që mori zonja Haley.

Sapo njoftoi largimin, zoti DeSantis dha menjëherë mbështetjen për zotin Trump, duke thënë se ishte e qartë se votuesit republikanë preferojnë ish-presidentin.

Të hënën, senatori i Montanas, Steve Daines, i cili drejton komisionin elektoral në senat të Partisë Republikane, e quajti zotin Trump “i emëruari i pritshëm”.

Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që të ketë fituar një kandidat presidencial zgjedhjet paraprake në Ajova dhe në Nju Hempshër dhe më pas të mos ketë marrë emërimin e partisë së tij si kandidat zyrtar.

“Në thelb pas Nju Hempshërit, është një ushtrim akademik”, tha Chris LaCivita, këshilltar i lartë i ish-presidentit Trump. “Këtu ka vërtet rëndësi”.

Siguria për zotin Trump vjen megjithëse republikanë të respektuar, si guvernatori i Nju Hempshërit Chris Sununu, paralajmërojnë për pasoja të rënda politike.

“Republikanët janë lodhur së humburi. Jemi të lodhur me humbësit. Jemi të lodhur me Donald Trump-in”, u tha zoti Sununu rreth 500 mbështetësve të zonjës Haley të mbledhur gjatë fundjavës në qytetin më të madh në Nju Hempshër.

Të hënën, zonja Haley foli për emisionin “New Hampshire Today”, duke krahasuar zotin Trump me zotin Biden, duke sjellë në vëmendje se ish-presidenti Trump e ka ngatërruar me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, se gjithashtu ka thënë gabim se ai ka kandiduar kundër ish-presidentit Barack Obama, si dhe ka paralajmëruar se zoti Biden do ta fusë vendin në Luftën e Dytë Botërore, e cila ndodhi në periudhën 1939-1945.

“Kur kemi dy 80-vjeçarë që kandidojnë për president, do të shohim rënie”, tha ajo. “Është e natyrshme. Është ajo që ndodh”.

Njëkohësisht, zyrtarët e fushatës elektorale të zonjës Haley kanë ulur pritshmëritë për Nju Hempshërin, pasi këmbëngulën prej javësh se ishte e mundur një fitore e qartë përkundër zotit Trump.

“Të mundësh Donald Trump-in nuk është e lehtë. Ai është një forcë masive”, tha gjatë fundjavës menaxherja e fushatës Haley, Betsy Ankney, gjatë një aktiviteti të organizuar nga rrjeti Bloomberg. “Por si mund ta hash një elefant? Kafshatë pas kafshate. Ne duhet të vazhdojmë të tregojmë rritje dhe përparim të vazhdueshëm. Është njeriu i fundit, gruaja e fundit, që po i qëndron përballë”.

Sidoqoftë, dhjetëra mijëra votuesit që mblidhen në tubimet e zotit Trump në Nju Hempshër nuk duken të shqetësuar dhe ai nuk bën përpjekje për të ulur pritshmëritë.

Eric Holmstrom, një 43-vjeçar republikan nga Goffstown, që mbështet zotin Trump, thotë se i sheh ecejaket e ish-presidentit nga gjykatat për në aktivitetet e fushatave, si një shenjë se ai është personi më i mirë për të marrë emërimin si kandidat për president i partisë.

“Dua të them se rezistenca e këtij njeriu është e papërsëritshme. Dhe neve na nevojitet fuqia. Na nevojitet uniteti. Na nevojitet rezistenca. Në këtë moment, uniteti nuk është, por do të ndodhë”.


Shtuar 22.01.2024 23:24