Shërbimi i Jashtëm i Zbulimit të Rusisë (SVR) akuzoi të enjten industrinë serbe të mbrojtjes për furnizimin e Ukrainës me armë, pavarësisht qëndrimit zyrtar të neutralitetit që ka mbajtur Beogradi në lidhje me luftën, raporton The Moscow Times.
Sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të SVR-së, të paktën shtatë kompani kryesore të industrisë serbe të mbrojtjes kanë dërguar qindra mijëra raketa dhe miliona fishekë për armë të vogla drejt Ukrainës, duke përdorur, siç pretendohet, “certifikata të rreme të përdoruesit final”.
“Këto dërgesa vështirë se mund të justifikohen me qëllime ‘humanitare’. Qëllimi i tyre i vetëm i dukshëm është të vrasin dhe plagosin ushtarë dhe civilë rusë,” thuhet në deklaratën e SVR-së, e cila i cilëson këto veprime si “një përpjekje për t’i ngulur Rusisë një thikë pas shpine”.
Sipas një raporti të publikuar verën e kaluar nga Financial Times, Serbia ka eksportuar municione në vlerë prej 800 milionë eurosh (afro 908 milionë dollarë) drejt Ukrainës përmes vendeve të treta, që nga nisja e agresionit të plotë të Rusisë në vitin 2022.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili vizitoi Moskën këtë muaj me rastin e paradës ushtarake të Ditës së Fitores, ka mbrojtur eksportet duke i cilësuar si transaksione të ligjshme të realizuara përmes ndërmjetësve, si SHBA, Spanja dhe Çekia.