Komisioneri i BE-së: Marrja e Groenlandës nga ushtria amerikane do të ishte fundi i NATO-s

Do të ishte fundi i NATO-s nëse SHBA-ja do të merrte kontrollin e Groenlandës me forcë dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të ishin të detyruara t’i vinin në ndihmë Danimarkës nëse ajo përballej me agresion ushtarak, tha sot komisioneri i BE-së për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, sipas “Reuters”.

Trump tha se SHBA-ja duhej të zotëronte Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, për të parandaluar Rusinë ose Kinën të pushtojnë territorin e Arktikut – një vend strategjik dhe të pasur me minerale, duke argumentuar se prania ushtarake amerikane në ishull nuk ishte e mjaftueshme.

Si Groenlanda ashtu edhe Danimarka thanë se Groenlanda nuk është në shitje, por Trump nuk e ka përjashtuar marrjen e saj me forcë.

“Pajtohem me kryeministren daneze, Mette Frederiksen se do të jetë fundi i NATO-s”, tha komisioneri i BE-së, Andrius Kubilius në një konferencë për sigurinë në Suedi.

Kubilius tha gjithashtu se neni 42.7 i Traktatit të Bashkimit Evropian i detyronte shtetet anëtare të vendoseshin në ndihmë të Danimarkës nëse përballeshin me agresion ushtarak.

“Do të varet shumë nga Danimarka, se si ajo do të reagojë, por padyshim që ekziston një detyrim i shteteve anëtare për të kërkuar ndihmë të ndërsjellë nëse një shtet tjetër anëtar përballet me një agresion ushtarak”, tha ai.


Shtuar 12.01.2026 20:06