Dje gjatë një vizite të Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Scharaa, kancelari gjerman Friedrich Merz pati deklaruar se 80% e më shumë se 900.000 sirianëve që jetojnë në Gjermani duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës brenda tre viteve. Por tani, lideri konservator i CDU-së u tërhoq. Merz-i shpjegoi se shifra prej 900.000 sirianëshnbazohej në deklaratat e bëra nga al-Scharaa. Qeveria federale e kishte marrë parasysh shifrën, por ishte në dijeni të përmasave të detyrës. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, gjithashtu i CDU-së, mbështeti deklaratën fillestare të kancelarit. Ai pohoi se, sigurisht, ky ishte objektivi i qeverisë federale.
Kritika ndaj deklaratës së Merz-it
Të lidhura
None found
Merz-i ishte përballur më parë me kritika, përfshirë edhe nga partneri i koalicionit qeveritar, SPD. Zëvendëskryetarja federale e SPD, Anke Rehlinger, deklaroi se vendosja e shifrave dhe afateve specifike nuk ishte një ide e mençur. Kjo do të rriste pritjet që Merz-i mund të mos jetë në gjendje t’i përmbushë. Duke folur për gazetat e Funke Media Group, Rehlinger shtoi: “Shumë sirianë tani janë bashkatdhetarë tanë sepse janë integruar këtu, duke punuar në profesione me mungesa stafi, duke u kujdesur për të moshuarit ose duke drejtuar autobusë, dhe nuk është e pazakontë që ata të jenë bërë edhe qytetarë gjermanë.” Përfaqësuesit e të Gjelbërve dhe të Majtës shprehën ndjenja të ngjashme.
Shoqata Gjermane e Spitaleve vuri në dukje se mjekët sirianë përbëjnë grupin më të madh të mjekëve të huaj në Gjermani. “Prandaj, ata janë me rëndësi të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor,” tha zëvendëspresidentja Neumeyer për Rrjetin Editorial Gjerman (RND). Në fund të vitit 2024, në spitalet gjermane punonin 5745 mjekë sirianë. Stafi i infermierisë siriane është gjithashtu me rëndësi të madhe.
Një studiues i migrimit beson se pritjet janë joreale
Daniel Thym, studiues i migrimit, beson se objektivi i kthimit të rreth 80 përqind të sirianëve që jetojnë në Gjermani është jorealist. “Shifra kaq të larta kthimi ka të ngjarë të jenë një iluzion dhe madje të paarritshme përmes largimit vullnetar”, i tha ai gazetës Handelsblatt. Deri tani, vetëm disa mijëra sirianë janë kthyer vullnetarisht në vendin e tyre të origjinës. Nuk është e qartë pse kjo duhet të ndryshojë rrënjësisht. E njëjta gjë vlen edhe për kthimet me detyrim./DW
