Këngëtari grek Antonis Remos mbajti dje një koncert madhështor në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet.
Në nisje të koncertit Remos bëri një fjalim emocionues për dy popujt fqinje.
Teksa falenderoi nga zemra të gjithë emigrantët shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuuar në Greqi, këngëtari grek u kërkoi falje emigrantëve për herët që Greqia i lëndoi ata.
Remos tha se i kupton sfidat dhe vështirësitë që shqiptarët kanë hasur në Greqi, pasi dhe ai vetë ka qenë emigrant në Gjermani.
Fjalimi i Antonis Remos
Dua t’ju them pak fjalë që burojnë nga zemra ime. Në vitet 1995-96 unë hodha hapat e para në karrierën time si këngëtar. Në vitet 90’ filluat të vinit dhe ju në Greqi. Kaluan shumë vite që atëherë, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, u rritën edhe ata fëmijë. U rritëm dhe ne bashkë. Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë:
Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë.
Dhe një “Më fal” se Greqia shumë herë, jo të gjithë, por disa herë Greqia ju lëndoi!
Dhe ndjej se ju u lënduat, ashtu siç jam ndjerë dhe unë si fëmijë emigrantësh në Gjermani. U linda në Gjermani, e di çfarë do të thotë të jesh fëmijë emigrantësh në një vend të huaj. Kështu, thellë nga zemra ime, me shumë dashuri e respekt, ju them këto dy shprehje.
Sepse duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lartë në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli. Urime dhe kryebashkiakut për sa ka bërë. Urime të gjithë juve për sa keni arritur.
Nuk dua të them më tepër, jam vërtet kaq shumë i emocionuar. Zoti të jetë pranë jush, t’ju jap kurajo, të ketë mirë ju dhe familjet tuaja, të jemi mirë, të jemi të Bashkuar, të Duhemi me njëri-tjetrin.
Vetëm dashuria na duhet, ju falenderoj kaq për dashurinë që po na dhuroni sot këtu.
Jeta është çaste, këtë të mbajmë në mendje dhe le të këndojmë sot së bashku, të kalojmë siç vetëm ne dimë së bashku!”, tha Remos nga skena.