Këmbët e lidhura me pranga dhe “i pafajshëm” deri në fund, gjyqi ndaj Maduros dhe gruas së tij! Presidenti i Venezuelës nuk pranon akuzat, gruaja thotë se është keqtrajtuar

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores, kanë dalë sot përpara gjykatësit 92-vjeçar Alvin Hellerstein, i cili akuzon Maduron për “Konspiracion Narko-Terrorizëm, Konspiracion për Importimin e Kokainës, Posedim të Mitralozëve dhe Pajisjeve Shkatërruese, dhe Konspiracion për Posedimin e Mitralozëve dhe Pajisjeve Shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara”.

Të veshur si të burgosur dhe të lidhur me pranga nga këmbët, Maduro u duk i qetë në gjykatë teksa u fut duke përshëndetur në spanjisht të gjithë të pranishmit. Fjala e parë e Nicolas Maduros në seancën gjyqësore ishte “Unë jam president i Venezuelës dhe jam rrëmbyer. U kapa në shtëpinë time në Karakas, Venezuelë”, moment ky kur gjykatësi i kërkoi që të vërtetonte identitetin e tij.

Maduro dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pranuar në asnjë moment akuzat që u janë ngarkuar gna shteti amerikan. Në gjykatë Maduro tha: Jam i pafajshëm. Nuk jam fajtor. Jam një njeri i mirë, presidenti i vendit tim.

Ndërkohë një incident ndodhi në fund të seancës kur një person në gjykatë filloi të ulëriste në drejtim të Maduros duke i thënë se “do të paguante për ato që kishte bërë”. Maduro iu përgjigj se “jam një president i rrëmbyer dhe një rob lufte”.

Seanca zgjati rreth 40 minuta dhe e radhës u caktua më 17 mars. Në seancë avokati mbrojtës i Maduros u shpreh se aktualisht nuk do të kërkohet lirimi me kusht dhe se kjo do të ndodhte në një moment të dytë. Ndërkohë avokatët mbrojtës të bashkëshortes së tij, ngritën pretendimet se Cilia Flores është dëmtuar fizikisht gjatë momentit të arrestimit, referuar disa mavijosjeve në pjesën e fytyrës.

Nicolas Maduro u arrestua një ditë më parë pas një operacioni të SHBA-së të udhëhequr nga presidenti Donald Trump. Pas bombardimeve të disa bazave ushtarake, Maduro dhe gruaja e tij u arrestuan në një ndërtesë të fortifikuar në Karakas nga forcat speciale amerikane “Delta Force” e më pas janë dërguar direkt në qendrën e paraburgimit në Neë York.

Kjo ngjarje e madhe, sipas ndërkombëtarëve ka hapur rrugën për destabilizim në Venezuelë, ndërsa tashmë vendi pas 13 vitesh nën pushtetin e Maduros, po drejtohet nga zv/presidentja Delcy Rodriguez.

Menjëherë Trump deklaroi se tashmë Venezuela do të jetë nën monitorimin e Amerikës deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, tregtia e drogës do të marrë fund si dhe kompanitë amerikane do të marrin atë çka meritojnë nga industria e naftës në Venezuelë, ku janë përjashtuar prej vitesh nga tregu.

Sakaq, liderët botërorë janë ndarë pro ose kundër operacionit të SHBA-së. Reagime të forta ka pasur nga Irani dhe Kina që janë pozicionuar kundër, ndërsa Evropa bën thirrje për respektin të së drejtës ndërkombëtare.


Shtuar 5.01.2026 20:12