Kaos në rrugët e Stambollit pas arrestimit të kryetarit të këtij qyteti

Policia ka ndërhyrë për të penguar protestën e studentëve që reaguan ndaj arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili u arrestua pas një vendimi të kontestuar nga autoritetet turke.

Arrestimi erdhi pas akuzave për korrupsion, çka solli një reagim të fortë nga mbështetësit dhe qytetarët e Stambollit.

Ky veprim ka ngjallur një atmosferë tensioni dhe pakënaqësie, ku studentët e Universitetit të Stambollit u mobilizuan për të shprehur protestën e tyre ndaj këtij zhvillimi politik, që ata e konsideruan si një tentativë për të frenuar opozitën.

Policia ka bërë një ndërhyrje të ashpër ndaj studentëve, duke përdorur forcë për t’i shpërndarë ata, por studentët e vendosur nuk janë dorëzuar.

Ata kanë kaluar barrikadën që kishte vendosur policia dhe kanë vazhduar marshimin e tyre drejt qendrës së qytetit, duke kërkuar lirimin e İmamoğlu dhe dënimin e atyre që, sipas tyre, po shkelin të drejtat demokratike.

Pas deklaratave të tyre, studentët janë nisur nga Universiteti i Stambollit drejt Saraçhanes, duke kërkuar mbështetje dhe duke shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të autoriteteve.

Protesta ka tërhequr vëmendjen e medieve dhe ka pasur mbështetje edhe nga grupe të tjera opozitare, që e shohin arrestimin e Imamoglut si një kërcënim për demokracinë dhe liritë e qytetarëve turq.

Ndryshe, Imamoglu ishte parë si kandidat serioz i opozitës për president të Turqisë, gjegjësisht rival i Recep Tayyip Erdogan.


Shtuar 19.03.2025 16:26