Kancelari gjerman Friedrich Mertz ka paralajmëruar se kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane do të godiste drejtpërdrejt industrinë eksportuese të Gjermanisë, ekonominë më të madhe të Evropës, nëse nuk arrihet një marrëveshje përmes negociatave gjatë javëve në vijim.
Në një intervistë për televizionin publik gjerman ARD, Mertz deklaroi se në rast se tarifat do të hyjnë në fuqi, qeveria gjermane mund të detyrohet të ndryshojë pjesërisht politikat e saj ekonomike.
“Kjo do të errësonte çdo zhvillim tjetër dhe do të godiste në thelb industrinë tonë eksportuese,” tha kancelari.
Mertz shtoi se po mban kontakte të ngushta me liderët e tjerë evropianë për të shmangur një përshkallëzim tregtar me Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se është thelbësore që Bashkimi Evropian të veprojë i bashkuar dhe të ruajë kanale të hapura komunikimi me presidentin amerikan.
Në pyetjen nëse Gjermania mbështet masa kundërpërgjigjeje ndaj SHBA, kancelari u përgjigj: “Po, por jo para 1 gushtit.”
Ai bëri të ditur se gjatë fundjavës ka diskutuar gjerësisht mbi këtë çështje me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe ka zhvilluar një telefonatë me Donald Trump të premten.
“Dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë periudhë, këto dy javë e gjysmë deri më 1 gusht, për të gjetur një zgjidhje. Jam plotësisht i përkushtuar për këtë,” deklaroi Mertz.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vendosur të zgjasë pezullimin e masave të kundërpërgjigjes ndaj SHBA-së deri më 1 gusht, për t’i dhënë më shumë hapësirë bisedimeve diplomatike.