Një burrë nga Gjermania që pretendonte se kishte vrarë gruan e tij, është arrestuar në aeroportin “Eleftherios Venizelos” Greqi me akuzën e prishjes së qetësisë dhe pengimit të qarkullimit.
Burri, i cili ishte pasagjer në një fluturim nga Shtutgarti në Egjipt pasditen e së shtunës, u kishte thënë dy herë anëtarëve të ekuipazhit me zë të qetë se kishte vrarë gruan e tij në Gjermani. Këtë e kanë dëgjuar edhe pasagjerët e fluturimit, ndaj ka krijuar panik tek ata.
Policia u informua nga anëtarët e ekuipazhit për ngjarjen dhe u bë një ulje emergjente në Athinë.
Burri i tha policisë së aeroportit se ajo që po thoshte ishte një gënjeshtër dhe se po bënte shaka. Megjithatë, për çdo rast, policia kërkoi ndihmën e Interpolit për të zbuluar nëse ish-partneri i gjermanit është vërtet gjallë.
Burri më në fund u arrestua të shtunën mbrëma në aeroport. Përveç ndërprerjes së fluturimit, sjellja e burrit shkaktoi edhe ndërprerje të trafikut për shkak të uljes së detyruar që vonoi fluturimin me një orë.